Më shumë se 50 shtete kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për të nisur bisedime tregtare me SHBA-në, ka bërë të ditur të dielën një nga këshilltarët kryesorë ekonomikë të presidentit Donald Trump.
Gjatë një interviste për ABC News, drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të SHBA-së, Kevin Hassett, ka hedhur poshtë spekulimet se presidenti Trump po përdor tarifat si një mënyrë për të ndikuar në vendimet e Rezervës Federale, me qëllim uljen e normave të interesit.
Por, vetëm dy ditë më parë, Trump kishte shpërndarë një video në rrjetin e tij social “Truth Social”, duke sugjeruar se tarifat e vendosura prej tij kishin për qëllim të trondisnin qëllimisht tregun e aksioneve për të ushtruar presion mbi bankën qendrore amerikane.
Të mërkurën, Trump njoftoi vendosjen e tarifave të reja të gjera për importet, duke tronditur tregjet financiare dhe duke nxitur kundërpërgjigje nga Kina, që vendosi tarifa hakmarrëse.
Sipas agjencisë Reuters, aksionet në bursat amerikane kanë pësuar një rënie prej afro 10% brenda dy ditëve të para pas njoftimit të tarifave, të cilat u vlerësuan si më agresive sesa kishin parashikuar investitorët dhe analistët./BBC