Mbi 60 fëmijë në Xhamajkë janë dërguar në spital, pasi hëngrën ëmbëlsira që përmbanin kanabis, ka njoftuar ministrja e Arsimit e Xhamajkës, Fayval Williams.
Williams ka shkruar në platformën “X” (ish-Twitter) se nxënësit e shkollave fillore ishin nga zona e Gjirit të St Annit – rreth 80 km nga kryeqyteti, Kingston.
Ajo ka theksuar se disa fëmijë përjetuan të vjella dhe halucinacione. Asnjë nuk raportohet të jetë në gjendje të rëndë.
Williams ka treguar se fëmijët ishin nga St Ann’s Bay Primary, por agjencitë lokale të lajmeve kanë raportuar se edhe nxënës nga shkolla fillore e afërt “Ocho Rios” janë prekur. Fëmijët mendohet se janë nga mosha shtatë deri në 12 vjeç, ka raportuar BBC.
Drejtori i shkollës “Ocho Rios” ka thënë për Jamaica Observer se një “shitës i vetëm” ua kishte shitur ëmbëlsirat nxënësve të shkollës.
Kreu i departamentit të Policisë së St Ann, Dwight Powell, i ka kërkuar personit ose kujtdo që ka informacion rreth tyre të kontaktojë autoritetet.
Williams ka postuar foto të paketimit të produktit që mendohet se përmbante ëmbëlsirat, gjë që specifikon se ato nuk duhet t’u shiten të miturve.
Secili thuhet se përmban 100 mg të substancës psikoaktive Delta-8 tetrahydrocannabinol (THC), e cila përgjithësisht konsiderohet të jetë dozë e lartë edhe për një të rritur.
Sipas Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), Delta-8 ka “efekte dehëse”.
Ëmbëlsirat, të cilat nuk janë të miratuara nga FDA-ja, janë prodhuar nga një kompani me seli në shtetin amerikan të Kalifornisë, ku kanabisi është i ligjshëm.
Xhamajka dekriminalizoi posedimin e sasive të vogla të kanabisit, i njohur edhe si marihuanë, për përdorim personal në vitin 2015.
Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Christopher Tufton, ka theksuar për Jamaica Star se Qeveria nuk lejoi importin e ushqimeve që përmbajnë drogë.
Incidenti vjen më shumë se një javë pasi rreth 90 fëmijë u sëmurën në Afrikën e Jugut pasi hëngrën kifle me drogë që zyrtarët thanë se i kishin blerë nga një shitës ambulant.