Mbi Nevojën për Kombe

Sir Roger Scruton, Albert Bikaj dhe Konservatorizmi Tradicional

Roger Scruton në shtëpinë e tij në Sunday Hill Farm, Brinkworth, Wiltshire, MB më 4 shkurt 2011 (Mike Goldwater/Alamy Stock Photo).

Le të vendosim gishtin mbi gjërat e pranishme dhe të pyesim: pse na duhen shtetet-kombe? Çudia në fjalë është e rëndësishme, megjithëse vjen me dy nënkuptime që vetëm pyetjet filozofike yshtin.

Nënkuptimi i parë është të pyesim për diçka nën udhëdhënat e së cilës jemi duke jetuar. Për shembull, dorë më dorë me çudinë tonë janë edhe pyetje të tilla si pse duhet të themi mirëdita apo, le të zhytemi në metafizikën e vjetër dhe të mirë, pse është ajo që është. Patjetër, është gabim të mos pajtohesh, rasti i pasthirrmës dhe për atë që është janë gërryerje shumë më të vjetra në krahasim me çudinë tonë, por ajo që është mbetet, sepse si te të parat, si tek e fundit, gjallëron po e njëjta gjë. Udhëdhëna e pranishme të magjepsë çudinë për të pyetur pse. . . pse o pse na duhen shtetet-kombe?

Nënkuptimi i dytë është në parakuptimin se ne duhet të kemi një përgjigje. Do të ishte shumëkuptim i pastër nëse fillojmë çudinë tonë filozofike me parakuptimin se s’do të kemi një përgjigje: më pak se një e tillë s’na duhet dhe më shumë se duhet të kemi shumë përgjigje. Thjeshtësia për të përfunduar, në pajtohemi apo jo me fjalët, të nderuar lexues, se diçka duhet të ketë kuptim. (Ose ka kuptim, kështu ka përgjigje, ose ka shumëkuptim, shumë përgjigje, kështu pakuptim, s’ka fare përgjigje. Apo shkruar ndryshe, si kur dikush i shpreh, si kur dikush i kupton ato, shumëkuptimi e pakuptimi bien në shpinë.) Ne duhet të kemi një përgjigje për pyetjen pse shtetet-kombe na duhen dhe nëse përgjigja jonë është gabim, ku është e mira, ne e kemi kuptuar se ajo është gabim.

Këto dy nënkuptime, sado të rëndësishme të jenë, janë të përmbajtura vetëm për filozofinë dhe nëse fushëvetet e tjera i nënshtrohen, asgjë s’do të përfundohej. Kjo është pjesërisht sepse çuditë filozofike kërkojnë më shumë sesa thjesht të arrish diçka, dhe pjesërisht sepse ne nuk jemi vetëm krijesa që mendojmë. Në motet tona, mendimi i kundërt është më famëmadh – duket sikur e gjitha dhe të gjithë duhet t’iu nënshtrohen asaj që filozofia bën, megjithëse me më pak durim dhe me përgjigje të gatshme nga një anë e filozofisë që e quan anën tjetër zakonisht fanatike dhe të prapambetur. Që vetëm shkon për të vërtetuar pse ajo që bën filozofia duhet t’i lihet vetëm nderit të filozofisë, sepse jo të gjithë janë filozofë dhe jo gjithçka është filozofi.

Ne jetojmë në një botë me kuptimbërje liberale, pa e ditur se çfarë kjo do të thotë. Universitetet tona, sidomos ato humaniste, janë të ngulfatur me botëkuptime marksiste, pa e ditur dhe e pranuar se çfarë kjo do të thotë. Në marrëdhëniet tona me botën ne takohemi me përfundime nga të dyja këto shtigje: dhe prapëseprapë, ne anashkalojmë paramendimin – a janë këto gjërat e duhura për t’u përfunduar. Kaq sa i përket filozofisë për të gjithën dhe të gjithë, që del se është e paarritshme. Gjithsesi. Në këtë ese, mendimi kthehet pas. Kthehet tek ata që s’i ngatërrojnë çudirat e botës mendore me domosdonë e botës praktike. Që janë, si çdokush tjetër, ‘për’ diçka dhe ato gjërat që janë ‘për’ nuk i paracaktohen nga argumentet por nga njohja e tyre, jeta me to dhe identiteti që ato i japin. Tek ata që në vend të papjekurisë për të shkatërruar rendin në emër të ndryshimit dhe përparimit, kërkojnë mbrojtjen dhe ruajtjen e gjërave të trashëguara. Dhe kjo s’do të thotë se këta të fundit s’kanë filozofi apo argumente, çudia që do të trupoj tani do ta vërtetojë këtë. Ndoshta-ndoshta, do të tregojë krejt të kundërtën, pse ata të parët, edhe në rastin e tyre më të mirë, i kanë argumentet dhe filozofitë e shtirura, që na ftojnë nëpër shtrembërime të qëllimshme vetëm që të vërtetojnë veten.

Pra, le të pyesim edhe një herë, tani siç duhet – pse na duhen shtetet-komb? Është në pyetjen e njëjtë, me nënkuptimet e njëjta, ku Sir Roger Scruton-i shtegton në pamfletin e tij ‘Nevoja për Kombet’. Dhe është në kuptimin e po këtij shtegtimi filozofik, që përkthyesi i këtij pamfletit, Albert Bikaj, u frymëzua për ta përkthyer atë. Dhe ç’është ky shtegtimi filozofik i Sir Roger Scruton-it? Vendosur në fjalë të tjera, çfarë është e fshehur poshtë kësaj çudisë pse na duhen shtetet-kombe?

E gjitha fillon me shtegtarin mahnitës. – Më lejoni të shpjegohem.

Sir Roger Scruton-i ishte një konservator tradicionalist. Çfarë kjo nënkupton është se ai e mbron atë që ishte, e cila e gjallëron atë që është dhe e ruan atë që do të jetë. Akoma më poshtë në nënkuptime dhe ne takohemi me burimin e kësaj filozofie: Edmund Burke. Në pamfletin në fjalë, si dhe në thelbin e konservatorizmit tradicional, janë dy udhëdhëna të filozofisë burkiane që trupohen. Fillimisht, paramendimi se veta e parë njëjës është më mirë të qëndrojë nën udhëdhënat e trashëgimisë, nën ato zgjidhje të paqëllimshme që rrjedhin nga thellësia e moteve dhe e kombeve. Mandej, që ‘kontrata sociale’, ajo ‘përligja’ dhe ‘arsyeja’ pse ne kemi qeverisje, s’është për t’u parë vetëm në të tashmen si një marrëveshje e popullit që është, por në mirënjohjen e bashkëpjesëmarrjen e atyre që ishin, neve që jemi dhe atyre që do të jenë. Të dyja këto udhëdhëna, si në motin kur u shkruan, si në motin e pranishëm, u vihen dhëmbë më dhëmbë filozofisë së iluministëve dhe të gjitha revolucioneve që ata bën dhe frymuan – si atë francez, si atë rus, si atë nazist…

‘Veprim me mend,’ shkruan Sir Roger Scruton, ‘është të pranohet rendi, sado i papërsosur, që është zhvilluar nëpërmjet traditës dhe trashëgimisë, i cili mund të përmirësohet me korrigjime të vogla, por jo ta rrezikojmë atë duke e ndryshuar në shkallë të gjerë, sepse pasojat e këtyre ndryshimeve askush nuk mund t’i parashikojë.’ Kjo është filozofia e konservatorizmit tradicional e përmbledhur bukur dhe në pak fjalë, në motet të cilat e ngatërrojnë veten nëpër mendime të ngatërruara.

Nga trupimet e fundit mund të kuptohet njëmend mendimi pas shtegtimit të Scruton-it; kur qëndis që në fill pamfletin me përkujtimin se demokracitë liberale mund të gjallërojnë vetëm sepse poshtë tyre gjendet rrënja e besnikërisë kombëtare – të cilën parakuptohet ta kenë të gjithë, si qeveria, si opozita, si partitë politike, njashtu elektorati në tërësi: e kurdoherë që kjo ndjesi e kombësisë vyshket, trungjet organikë të demokracive liberale thahen dhe ato, sado krenare, vdesin bashkë me ta. Kjo besnikëria kombëtare, të cilën Roger Scruton-i na përkujton, s’është ajo besnikëria ndaj kombit të iluministëve, që për popullin e tanishëm, (për zgjedhjen e popullit të pranishëm), heq dorë nga ajo që ishte dhe ajo që do të jetë. Apo ndaj atyre qosheve kokëzhurmuese si nacionalizmi, që nuk janë gjendja normale e kësaj besnikërie, por çrregullime përmes së cilave në kombe shohim vetëm një lidhje fisnore të racës dhe gjakut – të kryesuara nga një poetikë dhe filozofi magjike. Çfarë Scruton-i te besnikëria kombëtare sheh, para së gjithash e të parakuptuar nga udhëdhënat burkiane, është lulëzimi organik i njerëzve që kanë jetuar në një tokë të caktuar; që ndajnë institucione, doke e një ndjenjë historike të përbashkët; që e shohin veten mandej si besnikë ndaj të dyjave, vendit ku jetojnë dhe bërjeve ligjore e politike që e udhëheqin atë. Pra, kombin vetë, (mishërimit të tokës dhe traditës), ndaj të cilit ne kemi besnikërinë kombëtare apo territoriale, që në kundërshtim e në dallim të çfarëdoshëm me fqinjët tanë në oborrin tjetër, dalim në luftë që të mbrojmë të dy oborret njëkohësisht. Sepse oborret janë tonat, sepse në tokë tonë ne, unë dhe fqinjët që kundërshtohemi ndoshta kokë-e-këmbë e kemi dallime, jemi ‘ne’ dhe kur themi ‘ne’ e dimë se për kë e kemi fjalën. Ja pse pamfleti titullohet ‘Nevoja për Kombe’ e jo ‘Nevoja për Shtetet-kombe’, sepse këta të fundit, edhe pse të gdhendur në formën më të qëndrueshme të qeverisjes që kemi provuar, s’do të ishin dhe gjallëronin pa të parët.

Dhe është pikërisht njëkëtu ku ne kemi hasur edhe logun e bardhë, nëse më lejohet kjo shprehje, prej të cilit Albert Bikaj mori ose më mirë iu ofrua frymëzimi për të përkthyer pamfletin. Sepse ashtu si në çatinë e Scruton-it, njashtu në çatinë e Albertit, udhëdhënat e frymës burkiane depërtojnë rrjetat e merimangave dhe aty ku ishte kundërshtimi i kombit iluminist, tek Alberti parakuptohet kundërshtimi i llojit hiç më pak se të atij që ky komb është, një eksperiment sofist. Dhe aty ku kemi atë kundërshtimin e marrëzisë, jo aq religjioze sa magjike, të qosheve kokëzhurmuese, parakuptohet kundërshtimi i vetë grymit: fundamentalizmit. Mendimtarët e pranishëm, njëri në pamjen e një anglezi fisnik dhe tjetri në pamjen e një malësori të ndershëm, na kujtojnë se argumentet për shtetet-kombe, duke harruar apo mos kuptuar se çfarë kombi është, s’janë bërë siç duhet dhe nxisin diskutimet për të. Duke mos harruar të na kujtojnë se në Angli s’ka vdekur kjo magjepsja e tokës dhe se as te ne një bërje e tillë s’ka vdekur dhe s’ka mbetur pa u kuptuar. Ato vargjet e Pashko Vasës, unë do të thoja edhe Zana – po, me shkronjë të madhe – e Lukës dhe Át Fishtës, na përkujtojnë pikërisht kush ne jemi; jo sepse ne nuk jemi shumë religjiozë apo sepse ne jemi më shumë paganë, por sepse religjioni mund të lulëzojë vetëm kur ne jemi të kapur për tokën dhe traditën tonë.

‘Për ta thënë qartë,’ shkruan Sir Roger Scruton-i, ‘kombet nuk përcaktohen nga lidhjet farefisnore apo fetare, por nga atdheu.’ Nga ajo magjepsja e tokës ku brez pas brezi kemi hapur shtigjet tona.

Më duhet t’ju kujtoj, të nderuar lexues, malësorin tonë, i cili në paqe e shenjtëronte dhe në luftë thirrej në tokën e traditën e tij dhe nuk hiqte dorë nga religjioni në motet më të zymta për hyjnoren mbi tokë. Ne mund të luajmë loja tani, por në shtegun e sapo shtjelluar çudia është vetëm me ata që duhet të krijojnë të drejta për padurimin, pa e kuptuar pse këto të drejtat e tyre janë pezull: se as nuk i përgjigjen dikujt dhe as nuk i drejtohen dikujt. Dhe në mbajtjen e tyre më shumë lëndohen ata që i përmbahen se ata që nuk i përmbahen. Thjesht shikoni pamjen e Evropës dhe përfundimi, mjerisht, duket se vërtetohet.

Ky është edhe udhëkryqi, për të përdorur fjalën e Scruton-it, që pamfleti në fjalë na paralajmëron. Për shumë mote tani, rrënja e shteteve-kombe rrezikon të shkëputet me mendimin se, disi, shtetet-kombe duke u bërë shtete-shumëkombëshe apo duke u ngulfatur në fushëvete të tilla nuk do të humbasin përgjegjësinë për të pasur këtë besnikëri dhe për të çmuar shtëpinë e tyre… Thelpinjtë mbi të cilët popujt e Evropës lulëzuan e mbrojtën parlamentet dhe gjykatat e tyre rrezikojnë të grymosen – ashtu siç dëshironin, çudi-çudi, francezët, rusët dhe gjermanët revolucionarë – në vetëkrijime (me shumës, me ‘ne’ pezull) dhe ditë pas dite të papërgjegjshëm si Bashkimi Evropian, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe të Drejtat Universale të Njeriut. Të gjitha këto, të mbajtura bashkë nga ai paramendimi i filozofisë së Kant-it më shumë se ai i filozofive të tjera dhe, për të qëndruar akoma me Scruton-in, të mbajtura bashkë nga një filozofi që e kanë keqkuptuar. Patjetër, ne mund t’i mohojmë, t’i dyshojmë dhe të heqim dorë nga gjithçka para këtyre trupimeve – Mbretëria e Bashkuar, me sa duket, gjithmonë në ‘dembelinë’ e saj përmbahet për të qenë e papjekur dhe largohet atëherë kur boria revolucionare shurdhon banorët e saj –: megjithatë, është e udhës të mos harrojmë se çfarë na rrezikohet ballë tyre. Për të nderuar frymën filozofike, të mos anashkalojmë mendimin kur argumenti kundër shtetit-komb s’është bërë siç duhet, kurse argument për alternativë shumëkombëshe s’është bërë fare. Pamfleti i përkthyer përmban dy argumente, njërin për, tjetrin kundër, dhe besoj se është e nënkuptuar ajo se çfarë kuptohet me për dhe me kundër tashmë.

Për t’ia lidhur thesit me grurë grykën, shtetet-kombe kanë krijuar një qytetërim që lulëzon nga gjallëria dhe qëndrueshmëria e tij, qytetërimin Perëndimor. Nëse janë paqja dhe përgjegjësia qëllimet tona, ja pse shtetet-kombe na duhen. Por le të shpresojmë, e jo vetëm të shpresojmë, që thelpinjtë, (kjo është, kombet), pas këtyre lulëzime të mos harrohen, të ngulfaten apo të çnderohen krejt lehtësisht, pa e kuptuar se në vend të tyre vetëm djerrina mbetet; aq më shumë kur kjo gjallëria dhe qëndrueshmëria jonë nuk do të ishte e mundur pa këta thelpinj. Dhe nëse shprehen ato ‘fobitë’ e famshme për këtë shpresë tonën, le të përdorim edhe ne një ‘fobi’ që pamfleti na ofron: okiofobinë – frikën ndaj vetë shtëpisë tënde.

Përfunduar në fjalët e Sir Roger Scruton-it vetë:

‘Ne, në shtetet-kombe të Evropës, duhet ta rifitojmë sovranitetin që brezat e mëparshëm e formuan me mund nga trashëgimia e krishterimit, qeverisë perandorake dhe ligjit romak. Duke e fituar kemi për ta zotëruar atë dhe duke e trashëguar atë do të kemi paqe brenda kufijve tanë.’

*Albert Bikaj është MA në Histori Mesjetare në Universitetin e Zagrebit.

*Albnor Sejdiu është student i vitit të dytë në baqellor në Universitetin e Prishtinës.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika