Të enjten e 18 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian(BE).
Në ndërtesën ku po mbahej takimi, ishin të pranishëm Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në ndërtesën ku po mbahej takimi ka qenë i pranishëm edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.
Pavarësisht takimeve të gjata dypalëshe e trepalëshe, në këtë ditë nuk u arrit marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Po në këtë ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka ftuar serbët e Kosovës në një takim të dielën në Beograd, takim në të cilin janë ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova.
Ndërkaq, në pasditen e së enjtes, pas pesë orësh që kishin zhvilluar takime, shefi i diplomacisë evropiane, Borrell, në një konferencë për media ka bërë të ditur se në takimin në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk u arrit asnjë marrëveshje.
Ai tha se përkundër dështimit për një marrëveshje, dialogu do të vazhdojë ditëve në vijim.
“Fatkeqësisht nuk kemi arritur marrëveshje në takimin e sotshëm, por nuk është përfundimi i këtij tregimi, të dy liderët janë pajtuar që procesi duhet të vazhdojë që diskutimet të rifillojnë në ditët në vijim, ka kohë deri më 1 shtator, nuk ka marrëveshje ditën e sotme, do të vazhdojmë kërkimin për zgjidhje, ky diskutim do të vazhdojë”, ka deklaruar Borrell.
Borrell u shpreh se për çdo eskalim të gjendjes në terren, të dyja palët do të jenë përgjegjëse, teksa tha se takimi i ditës së enjte nuk ishte takim i rregullt, por ishte më shumë një takim për t’i zgjidhur tensionet në Veri të vendit.
“Takimi nuk ishte ndonjë takim normal apo i rregullt, së bashku me Lajçak, të cilin dua ta falënderoj, e kemi thirrur këtë takim, sepse po përballemi me rritje të tensioneve në veri të Kosovës. Mund të themi se ky takim kishte të bënte për përgjegjshmërinë e të dy liderëve për të bërë përpjekje drejt paqes dhe stabilitetit që duhet të zotërojnë në veri të Kosovës, dhe kjo ka ndodhur në një kohë kritike kur po shohim kthimin e luftës në kontitnentin tonë pas invadimit rus në Ukrainë”, ka deklaruar Borrell.
Ndërsa pas përfundimit të takimeve, në orët e mbrëmjes Qeveria e Kosovës ka dalë me një komunikatë për media.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në takimin në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është diskutuar për dy tema, të cilat sipas qeverisë ishin në agjendë.
Njëra nga to ishte “diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes”.
“Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovë.
Kurse tema e dytë, sipas Qeverisë së Kosovës, ishin zhvillimet aktuale dhe politikat e sigurisë.
“Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, vijon njoftimi.
Në fund, thuhet se kryeministri i Kosovës, i ka falënderuar “Bashkimin Evropian, Borrel dhe Lajçak, për organizimin dhe ndërmjetësimin në këto bisedime, drejt normalizimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.
Ndërsa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë ta vazhdojnë dialogun dhe ta shfrytëzojnë ata për normalizimin e marrëdhënieve.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha në konferencën e përditshme për shtyp se Uashingtoni po e ndjek me vëmendje dhe përparësi situatën.
“Nga ajo që dimë është se bisedimet po vazhdojnë. Ne, në partneritet me BE-në po e ndjekim me kujdes dhe inkurajojmë të dyja palët që të shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive dhe u sugjerojmë palëve që të vazhdojnë dialogun”, tha zoti Price, raporton Zëri i Amerikës.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit u shpreh se ShBA e përkrah dialogun dhe bëri thirrje që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, t’i shfrytëzojnë bisedimet për njohje të ndërsjellë.