Mbledhja e Qeverisë së Kosovës nis me 1 minutë heshtje në nderim të heroit policor Afrim Bunjaku, që më 24 shtator ra në krye të detyrës në mbrojtje të shtetit.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, i ka ndarë rreshterit Afrim Bunjaku urdhrin më të lartë të Kosovës, “Hero i Kosovës”.
Osmani ka thënë se polici Bunjaku u vra në mbrojtje të rendit, të ligjit, të integritetit territorial dhe të sovranitetit të Kosovës.
“Rreshteri Afrim Bunjaku dhe pjesëtarët e Policisë dje u sfiduan nga bandat terroriste të dirigjuar nga Beogradi dhe bënë atë që duhet, rikthyen ligjin, mbrojtjen, integritetin territorial dhe sovranitetin dhe vunë në vend dinjitetin e Kosovës”, ka deklaruar presidentja Osmani.
I pranishëm në mbledhjen komemorative ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti ka thënë se Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës nga një grup shumë i armatosur i mbështetur nga Serbia.
“Reagimi profesional i Policisë së Kosovës rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit dhe konfiskimin e shumë armatimeve”, ka theksuar Kurti.
Në mbledhjen komemorative, të pranishëm ishin edhe familjarët e rreshterit Afrim Bunjaku. Vajza e tij, Arbenita Bunjaku, ka thënë se “janë krenarë me punën dhe heroizmin e babait”.
Rreshteri Afrim Bunjaku ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës nga viti 2001.