Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur mbështetjen e saj për letrën e dërguar nga Bashkimi Evropian për Kosovën dhe Serbinë.
Në këtë letër, Kosova është nxitur të nisë menjëherë procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.
BE: Puna për themelimin e Asociacionit duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, nëpërmjet një postimi në platformën X, e njohur më parë si Twitter, ka shprehur qëndrimin e tyre të qartë dhe mbështetjen për këtë apel të Bashkimit Evropian.
🇬🇧 stands behind this clear appeal from the 🇪🇺27 for 🇽🇰 and 🇷🇸 to engage constructively and sincerely without further delay.https://t.co/VBdIKFDGwJ
— UK in Kosovo 🇬🇧 (@UKinKosovo) September 19, 2023
Ata kanë theksuar se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë, pa vonesa të mëtejme, në dialogun për normalizim të marrëdhënieve.
“Mbretëria e Bashkuar qëndron prapa apelit të qartë nga 27 shtetet anëtare të BE-së për Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë pa vonesa të mëtejme”, thuhet në përshkrim të postimit të Britanisë së Madhe.
Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi, më 14 shtator, në Bruksel, BE-ja ka shprehur shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj.
BE-ja u ka bërë thirrje palëve që puna për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të nisë pa vonesë.
“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen me konstruktivitet dhe mirëbesim. Kjo nënkupton nisjen e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejme, që, gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejmë”, thuhet në letrën e BE-së me kërkesat për Kosovën dhe Serbinë.
Përmes një komunikate për media, BE-ja ka përkujtuar se marrëveshja është obligative dhe luan rol në rrugën evropiane të të dyja vendeve.