Mbrojtja e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Kështu ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, avokati mbrojtës i Krasniqit, Taulant Ferizi.
Ai thotë se po presin aprovimin e ankesës si dhe lirimin e Krasniqit në procedurë të rregullt apo që të shqiptohet një masë më e butë e sigurimit të pranisë të të pandehurit në procedurë.
“Po kemi ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj aktvendimit të Themelores për caktimin e masës së paraburgimit. Presim aprovimin e ankesës si dhe lirimin e Krasniqit në procedurë të rregullt apo që të shqiptohet një masë më e butë e sigurimit të pranisë të të pandehurit në procedurë. Ne jemi ankuar për të gjitha bazat e mundshme të cilat i ka përcaktuar Kodi i Procedurës Penale dhe presim një verdikt sa më të drejtë dhe në favor të klientit”, tha avokati Ferizi.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi e ka konfirmuar se drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është dërguar në paraburgim, pasi ky i fundit dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, “Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurin N.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Konflikti i interesit nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërsa Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, ndaj të pandehurit, Nagip Krasniqit.
Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ai ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, “Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Kështu ka bërë të ditur përmes një komunikate për media Prokuroria Speciale e Kosovës, të enjten e 20 prillit.
Dyshimet për keqpërdorime me tenderë, i sollën të mërkurën hetues të policisë në zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Ndërsa të mërkurën e 19 priilit zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka njoftuar se drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Sipas tij, Policia e Kosovës ka kryer bastisje në zyrat qendrore të KEK-ut në Prishtinë dhe në dy banesa në pronësi të Nagip Krasniqit, ku sipas njoftimit nga Prokuroria, janë sekuestruar dokumente dhe pajisje elektronike si kompjuterë, celularë dhe një USB.