I pandehuri Dardan Krivaqa, i cili akuzohet për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmanit, është sjellë para Gjykatës Themelore të Ferizajt.
Mbrojtja e tij ka kërkuar ekzaminimin psikiatrik, psikologjik, psikotik të të akuzuarit Dardan Krivaqa.
Admir Salihu, avokat mbrojtës i Krivaqës ka thënë se është e rëndësishme që klientit të tij, t’i bëhet një ekzaminim i tillë për të parë gjendjen psikiatrike të Krivaqës, për shkak se në bazë të kontrolleve që i janë bërë dy herë prej kur kohës që gjendet në paraburgim, mjekët e kanë diagnostikuar me gjendje të rënduar psikologjike.
Salihu ka përmendur si fakt edhe të kaluarën e Krivaqes, ku ka thënë se ai është i dhunuar seksualisht dy herë dhe se për këtë ka edhe vendim dënues nga Gjykata.
Në këtë seancë është dëgjuar edhe mjeku i përgjithshëm i emergjencës primare i cili e kishte kontrolluar Dardan Krivaqën, në seancën dëgjimore për masën e sigurisë.
Në pyetjet e avokatit Salihu, Astrit Hoxha, dëshmitar ka thënë se ka pasur dyshime se gjendja e Krivaqës ka qenë e rënduar për shkak të përdorimit të substancave narkotike, por që asgjë nuk është e vërtetuar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën, Marigona Osmanin.
Në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Ndërsa, thuhet se i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Me çka akuzohet se kreu veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur, të shpallen fajtorë për veprat penale, për të cilat, akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, të martën e 28 qershorit, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut