Mbrojtja e ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në përgjigje ndaj kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar lirimin e Selimit deri në 30 ditë para gjykimit.
Kështu është bërë e ditur përmes shkresës së publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në të cilën thuhet se kushtet e gjera, të arsyeshme, reale dhe të detyrueshme të lirimit të përkohshëm mund të zbusin mjaftueshëm gjasat e rreziqeve të identifikuara nga gjyqtari i procedurës paraprake.
Sipas mbrojtjes, gjyqtari i procedurës paraprake duhet të refuzojë kërkesën e ZPS-së për vazhdimin e paraburgimit të Selimit i cili po akuzohet për krime lufte.
Mbrojtja rikujton se Kolegji i Apelit miratoi qasjen e gjyqtarit të procedurës paraprake gjatë vlerësimit të kushteve të propozuara të lirimit i cili: “nuk ka vendosur një standard që do të përmbushej vetëm kur mbrojtja e ofruar nga Policia e Kosovës ishte ekuivalente me atë të objekteve të paraburgimit, por e përdori atë si një metodë për të vlerësuar përshtatshmërinë e kushteve të propozuara në drejtim të zbutjes së rreziqeve të identifikuara”, shkruan Betimi për Drejtësi.
“Për të lejuar lirimin e përkohshëm sipas kushteve, gjyqtari i procedurës paraprake nuk duhet të jetë i bindur se kushtet do të përsërisin saktësisht ato në objektin e paraburgimit të DhSK-së, por përkundrazi se, të vlerësuar në mënyrë holistike, kushtet e kombinuara të lirimit do të zbusin mjaftueshëm rreziqet e nenit 41(6)(b). Kushtet e kombinuara të përcaktuara këtu, të cilat do të vendosnin kufizime të rënda dhe të gjera për lirinë e z. Selimi, do ta përmbushnin atë standard”, thuhet tutje.
Ndryshe, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të përballen edhe me akuza të tjera që pritet t’ua rëndojnë rastin.
Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit pritet që t’iu rëndohen akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës.
“Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa një proces të rregullt ligjor, duke i mbajtur ata në lokacione në Budakovë/Budakovo1 dhe Semetishtë/Semetište2 në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999”, thuhet në Anekset e aktakuzës, sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës
Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së u kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikike.
“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime serioze mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të viktimave duke i ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së, gjithashtu, u shkaktuan viktimave vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tyre njerëzor, duke i keqtrajtuar dhe/ose përmes kushteve të cilave iu nënshtruan viktimave gjatë ndalimit të tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Një pesë e madhe e këtyre anekseve janë të redaktuara, që i bie se publiku i gjerë nuk ka çasje në shumë prej detajeve, siç janë emrat e shumë personave të përmendur.
Në aneksin 7 të aktakuzës së publikuar flitet edhe për një rast që supozohet se ka ndodhur në një konvikt në Komunën e Gjilanit.
Sipas këtij aneksi, viktima supozohet të ketë qenë civil dhe jo në uniformë ushtarake.
“Në fund të korrikut 1999, [REDAKTUAR] u dërgua me veturë nga vendi i tij i punës në Konviktin e Gjilanit/Gnjilane. 2 Në konvikt, ai u kontrollua dhe iu morën çelësat e makinës dhe kartën e identifikimit dhe iu gris patenta e shoferit. 4 Atij nuk iu tha arsyeja e ndalimit apo arrestimit dhe nuk u akuzua për kryerjen e ndonjë krimi”
Për këto aneksa të reja të aktakuzës, Dhomat e Specialzuara kanë caktuar katër seanca ku të akuzuarit do të deklarohen për fajësinë.
Deri më tash asnjë nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale nuk e ka pranuar fajësinë, të gjithë, pa përjashtim, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.