Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje të tjera për mbylljen e një objekti në veri të Mitrovicës të enjten, duke thënë se aty ushtronte veprimtarinë një institucion paralel i Serbisë.
Sipas Sveçlës, ky institucion ka grumbulluar jashtëligjshëm pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre.
“Në respektim të plotë të legjislacionit tonë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë, sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut. Sipas materialeve të siguruara nga Policia jonë, bëhet fjalë për një institucion i cili jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve që janë kinse nën menaxhimin e tyre. Ky keqpërdorim i realizuar nën flamujt e emblemat e Serbisë përveç që është mbyllur sot, do të hetohet deri në fund”, ka shkruar Sveçla në Facebook, ku ka publikuar edhe një video.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka njoftuar për Dukagjinin se autoritetet lokale kërkuan ndihmë për të “çliruar disa zyra”.
Gjatë hyrjes në katin e parë të objektit, u intervistuan disa persona, të cilët pohuan se aty ishin punonjës të një institucioni që dyshohej të ishte ilegal.
Pas shqyrtimit të disa dokumenteve, Policia ka njoftuar Prokurorinë e Mitrovicës dhe ka hapur një rast për falsifikim dokumentesh.
Punonjësve iu është lejuar të marrin gjërat personale dhe të largohen nga objekti, ndërsa janë vendosur shirita për të ndaluar qasjen.
“Pas verifikimit të disa dokumenteve ne e kemi njoftu Prokurorin e Mitrovicës dhe kemi hap rast për dyshimin Falsifikim të Dokumenteve. Punëtorët janë leju me i marr gjërat personale dhe me u largu nga aty, ndërsa janë vendos edhe shiritat. Nuk ka persona të arrestuar, ndërsa policia do të verifikoj dokumentacionin që gjendet aty në detaje”, ka theksuar Elshani për Dukagjinin.
Nuk ka pasur arrestime, por policia do të vazhdojë hetimet dhe verifikimin e dokumenteve të gjetura.
Sipas Elshanit, operacioni ka kaluar pa incidente.