Policia e Kosovës ka konfirmuar se i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të nisur më herët gjatë ditës.
Se si rrodhi deri te kjo ngjarje, zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, tregon se pranuan një informatë nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
“Ne kemi pranu një informacion nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ata na kanë njoftuar dhe kanë kërkuar që të bëjmë verifikimin e disa lokacioneve disa operatorëve që dyshohej se ishin duke operuar në mënyrë ilegale të palicensuar dhe të paregjistruar,” ka thënë Elshani në “FIVE”.
Pas verifikimit të këtyre lokacioneve që ishin të sakta, Elshani thotë se njoftuan prokurorin.
“E kemi informu prokurorin dhe në komunikim e bashkëpunim me prokurorin këto 9 objekte-biznese janë mbyll dhe ky rast hetohet nga krimet ekonomike.”
Ndërsa se si rrodhi ky operacion, Elshani thotë se nuk pati ndonjë problem, pos në njërin lokacion ku dy persona u dërguan në stacion policor për prishje rendi.
“Nuk ka pasë ndonjë problem, një rast në Leshak e kemi marrë dy persona i kemi dërgu në stacion policor, për arsye se kanë qenë të dehur dhe kanë bërë prishje të rendit dhe qetësisë publike, mirëpo operacioni komplet ka kaluar i qetë,” shtoi Elshani.
Elshani thotë se situata në veri është e qetë dhe delikate, sidoqoftë ai shton se Policia e Kosovës është në secilin vend në veri dhe thotë se është me rëndësi për Policinë e Kosovës që të mund të reagojnë në secilin vend.
Në aksionin e sotëm, të pranishëm në monitorim Elshani thotë se ishin edhe EULEXI.
“EULEXI janë partner tonë sot, EULEXI ka qenë me ne në disa lokacione duke monitoru punën duke parë si i zhvillojmë bastisjet, me KFOR-in kemi bashkëpunim të mirë dhe patrullime të koordinume e të përbashkëta me ta.”