McCarthy zotohet të miratojë rritjen e tavanit të borxhit – me kusht që të kufizohen shpenzimet e ardhshme federale

Departamenti i Thesarit ka thënë se po merr “masa të jashtëzakonshme” për të mbuluar shpenzimet por se fondet do të mbarojnë në verë

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy po premton të miratojë legjislacionin për të rritur tavanin e borxhit të vendit – me kusht që të kufizohen shpenzimet e ardhshme federale.

Në një fjalim të hënën në bursën e Nju Jorkut, udhëheqësi republikan sulmoi Presidentin Joe Biden për refuzimin e përfshirjes në negociatat për shkurtimin e buxhetit për të parandaluar një krizë.

McCarthy tha se presidenti Biden “mungon në veprim”, shkruan VOA.

Fjalimi i tij në Wall Street vjen ndërsa Uashingtoni po shkon drejt një krize fiskale mbi nevojën për të rritur tavanin e borxhit, tani në nivelin e 31 trilion dollarëve, dhe për të shmangur një pamundësi për të paguar borxhin.

Departamenti i Thesarit ka thënë se po merr “masa të jashtëzakonshme” për të mbuluar shpenzimet por se fondet do të mbarojnë në verë.

McCarthy përballet me sfidat e tij. Me një shumicë të lehtë dhe një kontroll të dobët të pushtetit, ai nuk ka qenë në gjendje të sigurojë mbështetje rreth një propozimi për shkurtimin e buxhetit që mund t’i ofronte Shtëpisë së Bardhë si pikënisje në negociata.

Megjithatë, McCarthy u zotua të miratojë një projekt-ligj në Dhomën e Përfaqësuesve që do të rriste kufirin e borxhit të vendit për një vit – duke e vendosur çështjen në qendër të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 – duke e bashkuar atë me një plan për të rikthyer shpenzimet federale në nivelet fiskale të vitit 2022 dhe për të kufizuar shpenzimet e ardhshme në jo më shumë se 1%.

Republikanët gjithashtu duan të përfshijnë përparësitë e politikave të tyre, përfshirë shkurtimet për programet e ndihmave sociale për amerikanët më të varfër.

Shtëpia e Bardhë tha përpara fjalimit të McCarthy se “fjalimi nuk është plan”, duke hedhur poshtë propozimin e tij dhe duke ripërtërirë presionin ndaj udhëheqësit republikan për të miratuar rritjen e tavanit të borxhit pa asnjë kusht.

“Ekziston një zgjidhje e përgjegjshme për kufirin e borxhit: adresimi i tij në kohë, pa pengesë apo kushte”, tha zëvendës sekretari i shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates.

Dikur një çështje rutinë, nevoja që Kongresi të miratojë legjislacionin që rrit kufirin e borxhit për të vazhduar pagimin e faturave tashmë të grumbulluara, është bërë gjithnjë e më shumë një armë politike e përdorur veçanërisht nga republikanët si levë për përparësitë e politikave të tyre.

Sipas të dhënave të Departamentit të Thesarit, shpenzimet federale u rritën gjatë krizës së COVID-19, duke u arritur në 7.4 trilion dollarë në vitin 2021, përpara se të uleshin në 6.2 trilion dollarë në vitin fiskal 2022.

Barra e borxhit të vendit është rritur gjithashtu në mënyrë të qëndrueshme, duke u dyfishuar gjatë administratës Xhorxh W. Bush me luftërat e epokës së 11 shtatorit dhe duke u rritur përsëri gjatë administratës Obamës, ndërsa shpenzimet u rritën dhe të ardhurat nga taksat ranë ndjeshëm gjatë Recesionit të Madh.

Vendi ka më shumë se 1 trilion dollarë deficite vjetore, dhe hera e fundit që buxheti federal u balancua ishte në vitin 2001.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika