Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj komunikatës së Këshillit Prokurorial të Shtetit, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilat sipas KPK-së, po bëhen vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e tij.
Kreu i qeverisë, në një konferencë të përbashkët për media me ministren Albulena Haxhiu, kishte kritikuar sistemin gjyqësor duke thënë se, sipas të dhënave për vepra penale të dhunës seksuale, mbi 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.
Deklaratat e Kurtit dhe të Haxhiut kanë nxitur reagimin e KPK-së dhe Prokurorit të shtetit, të cilët kanë thënë se, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër raste që kanë pasur të bëjnë me dhunën seksuale.
Ndërkaq, në një komunikate për media nga Ministria e Drejtësisë, teksa thuhet se Kosova respekton standardet ndërkombëtare mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, është theksuar se “deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim i sistemit gjyqësor lidhur me mundësimin e qasjes së Ministrisë në statistika”.
Sipas këtij reagimi, thuhet se përbërja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës pasqyron rekomandimet e opinioneve të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian, kurse reforma e fundit e Këshillit Prokurorial bazohet në Opinionin e Komisionit të Venecias.
“Njësoj kemi bërë edhe me vettingun. Nismat tona janë të bazuara në idenë për drejtësi dhe barazi, kurse reforma bazohet në Kushtetutë e ligj. Të këtillë e duam edhe gjyqësorin – të pavarur në aksion, e me veprim të bazuar në ligj. Qeveria e Republikës së Kosovës dënon veprimet jo të ligjshme e të ndikuara të sistemit gjyqësor dhe këto i ndan me publikun e gjerë”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Po ashtu, në këtë reagim thuhet se veprimet e pasqyruara në raportet e misioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile, që reflektohen në statistika të paraqitura gjatë konferencës për media, janë të shkruara dhe të hapura për publikun.
“Sistemi gjyqësor kundërshton këto statistika dhe pretendon në një realitet tjetër. Po kush mund ta dijë cilat janë statistikat e vërteta të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial? Strategjia për Sundimin e Ligjit ka paraparë nevojën dhe ka identifikuar veprimet që shpien te mundësimi i qasjes së Ministrisë së Drejtësisë në statistikat e gjyqësorit. Në këtë mënyrë, përveç qasjes në informacion të plasuar e në kohë reale, Ministrisë natyrisht, nuk do t’i lejohej veprim tjetër”, vijon njoftimi.
Siç thonë nga ky dikaster, qasja është e domosdoshme për planifikim të politikave e në fund, hartim të ligjeve.
“Mosreagimi i këtillë përkon me qëndrimet e fuqishme të dy Këshillave që një veprim i këtillë të mos parashihej në Strategjinë për Sundim të Ligjit”.
“Qasja në statistika nuk kërcënon pavarësinë e gjyqësorit. Pavarësia reflektohet në vendimmarrje, jo në numër final të gjeneruar nga vetë prokuroritë dhe gjykatat”.
Ndonëse thuhet se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ndaj reformës dhe ndryshimeve të domosdoshme në sistemin e drejtësisë, në raport me kërkesën e votuesve e nevojën e qytetarëve, në këtë reagim potencohet se MD-ja do të qëndrojë e hapur ndaj bashkëpunimit ndërinstitucional.
“Por, assesi nuk do të heshtim ndaj rezultatit e performancës së dobët, që rezulton me veprime e reagime kërcënuese ndaj mirëqenies”.
Reagon KPK-ja dhe Prokurori i Shtetit: Kryeministri po jep informata të pasakta