Të hënën e 4 dhjetort, Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë një debat mbi qeverisjen 4-vjeçare të kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se debati do të përqendrohet te veprimet, mosveprimet dhe masat që, sipas tij, kanë qenë dëmtuese për vendin gjatë kësaj periudhe.
“Do të ketë disa seanca, ajo më rëndësishmja do të jetë e ditës së hënë, ku diskutohet qeverisja 4 vjeçare e Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Aty do të jetë debati dhe vëmendja kryesore. Do të diskutohen veprimet dhe mosveprimet 4 vjeçare. Dhe do të diskutohen masat dhe veprimet dëmtuese që Qeveria Kurti i ka bërë për 4 vite…”, ka thënë Gashi.
Ky debat, ka qenë i propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi rëndësinë e këtij debati, duke shprehur kritikën se gjatë mandatit aktual nuk është përmbyllur asnjë projekt i rëndësishëm.
“Propozimi ynë ka qenë që të ketë debat për mandatin e kryeministrin Kurti. AAK e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishme këtë debat. Për një mandat asnjë projekt nuk është përmbyll”, ka thënë Tahiri.
Nga ana tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, vlerësoi se kërkesa për debat është bërë që në mars dhe ka qenë e vonuar nga opozita, pavarësisht gatishmërisë së kryeministrit për diskutim.
“Sot nga mbledhja e kryesisë së Kuvendit kemi të caktuara tri seanca. E para është një kërkese e opozitës, tashmë gati se e vjetruar për shkak se është bërë në mars të këtij viti. Përkundër gatishmërisë së kryeministrit dhe pozitës që ta mbajnë këtë debat ka pasur disa herë shtyrje”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndërkohë, për të enjten, më 5 dhjetor, janë planifikuar dy seanca të tjera parlamentare, njëra prej të cilave do të jetë vazhdim i një seance të mëparshme, ndërsa tjetra do të jetë një seancë e re.