Me Harrisin pak pritje për Kosovën, me Trumpin turbullira

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së më 5 nëntor mund të sjellë qasje të ndryshme ndaj Kosovës, me Harris që pritet të ndjekë politika të moderuara për dialogun me Serbinë, ndërsa fitorja e Trumpit mund të nxisë ide të ndarjes territoriale, duke shtuar pasigurinë në rajon

Nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, dhe ish-presidenti Donald Trump.

Zgjedhja e amerikanëve më 5 nëntor do të ndihet anembanë globit – deri në Kosovë – dhe do t’i ndikojë politikat në një mënyrë ose tjetër.

Në garë për të parin e Shtëpisë së Bardhë janë Kamala Harris, nga Partia Demokratike, aktualisht zëvendëspresidente, dhe Donald Trump, nga Partia Republikane dhe president nga viti 2017 deri më 2021.

Kosova, përgjatë viteve, ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e SHBA-së, pavarësisht lidershipit të saj politik.

Nën presidentin demokrat, Bill Clinton, më 1999, SHBA-ja dhe aleatë të tjerë të NATO-s kanë bombarduar caqet e ushtrisë së atëhershme jugosllave për të ndalur dhunën në Kosovë.

Gati dhjetë vjet më vonë, nën presidentin republikan, George W. Bush, Kosova ka shpallur pavarësinë.

Edhe administrata e tanishme, ku bën pjesë Harris, ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, si kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trump si president ka qenë dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, rezultati i zgjedhjeve të 5 nëntorit duket se do të ketë pak pasoja për bashkëpunimin dhe partneritetin e vazhdueshëm. Ai mbetet i bindur se përkushtimi i tij për t’u angazhuar me liderë me prejardhje të ndryshme politike, do të vazhdojë.

“Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës dhe bashkëpunoj me udhëheqës të shteteve që janë nga të gjitha anët e spektrit politik – kjo si kryeministër. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht që jam social-demokrat, jam demokrat dhe nuk kam asgjë të re të shtoj”, tha Kurti në një konferencë për gazetarët në Prishtinë.

Për analistët në SHBA, situata nuk do të jetë aq e thjeshtë. Fillimisht, me luftën në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme dhe kontestin territorial në Detin e Kinës Jugore, Kosova nuk do të depërtojë lart në agjendë, sipas tyre.

Pastaj, në garë janë edhe dy kandidatë krejtësisht të ndryshëm – Harris me fare përvojë në Ballkanin Perëndimor dhe Trump i njohur për qasje transaksionale, apo ‘shit e blej’.

Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-së për statusin e Kosovës, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se problemi më i madh i Kosovës është mosmarrëveshja me Serbinë, e cila vazhdon të mos ia njohë pavarësinë, edhe gati 17 vjet pas shpalljes.

Wisner nuk pret ndonjë lëvizje në këtë drejtim, nëse Harris zgjidhet presidente.

“Unë supozoj se administrata e Harrisit do të ndiqte synime më pak ambicioze. Ajo do të bënte përpjekje t’i ulte Kosovën e Serbinë në një tryezë, bashkë me evropianët, por do të synonte përparime më të vogla – në ekonomi, tregti, kulturë, lëvizje njerëzish… Pra, në gjëra që fillojnë ta ulin temperaturën mes dy vendeve”, thotë Wisner.

David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias, ndan pikëpamje të ngjashme për Harrisin.

Ai nuk pret ndonjë veprim domethënës prej saj në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo është mbështetëse e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Andaj, ka të ngjarë ta vëmë re këtë jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë. Mund të presim që ajo të bëhet kampione e shtetit ligjor dhe e luftës kundër kleptokracisë”, thotë Phillips.

Për Trumpin, pritshmëritë janë dukshëm më shqetësuese. Të dy ekspertët druajnë se qasja e tij “transaksionale” mund të çojë në pasoja të paparashikueshme dhe potencialisht të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës.

Wisner nuk e përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë.

“Nëse ai sheh ndonjë marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga evropianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë”, thotë Wisner.

Wisner kujton se një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike, është përfolur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.

Por, plani nuk ka shkuar përpara pasi presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i është dorëzuar Gjykatës Speciale në Hagë si i dyshuar për krime lufte.

Phillips thotë, po ashtu, se Trump e sheh ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për marrëdhëniet e saj të trazuara etnike dhe kjo, sipas tij, jo vetëm se do ta destabilizonte Kosovën, por do ta hapte Kutinë e Pandorës edhe në shtete të tjera multietnike të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina apo Serbia.

“Nëse Trump zgjidhet, ka gjasa të shohim një ndryshim të madh në qasjen e Shteteve të Bashkuara. Trump ka interesa financiare në Ballkan. Ai ka interesa të dëshmuara në transaksione në favor të SHBA-së”, thotë Phillips për Exposenë.

Në shtator të këtij viti, djali i madh i Trumpit, Donald Jr., ka darkuar me biznesmenë serbë në Beograd, për të diskutuar mundësitë për investime.

Paraprakisht, në maj, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ka bërë kontratë me shtetin e Serbisë për ndërtimin e një hoteli luksoz në vendin e një ish-baze ushtarake në Beograd.

Richard Grenell, i cili në kohën e administratës Trump ka qenë përfaqësues i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka shtyrë përpara marrëveshjen për shkëmbim territoresh, ka zhvilluar po ashtu marrëdhënie të ngushta me Qeverinë e Serbisë.

Në vitin 2023, Vuçiq i ka ndarë atij Urdhrin e Flamurit Serb, duke thënë se Grenell “ka qenë ndër të paktët njerëz në SHBA, që ka pasur qasje të ekuilibruar ndaj Kosovës”.

Donald Trump Jr. e ka cilësuar Grenellin si “pretendent kryesor për pozitën e sekretarit të Shtetit”, nëse babai i tij do ta merrte timonin e Shtëpisë së Bardhë.

Për Wisnerin, ky nuk do të ishte një lajm i mirë.

“Nuk dua të tringëlloj tepër i ashpër, por mendoj se ai i ka bërë dëm të madh politikës së jashtme amerikane në rajon, duke dalë me ide që nuk kanë qenë të arritshme”, thotë ai.

Gjatë presidencës, Trump dhe administrata e tij kanë paralajmëruar në disa raste edhe për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Prania e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, shihet si garanci për sigurinë e Kosovës.

Phillips paralajmëron pasoja të konsiderueshme në këtë aspekt, nëse Trump rizgjidhet.

“Një nga gjërat e para që Trump do të bëjë, është vlerësimi i politikës amerikane dhe i interesave të sigurisë. Unë do të prisja që [baza ushtarake amerikane në Kosovë] Bondsteel të eliminohej gradualisht. Gjithashtu, çdo hap për ta futur Kosovën në NATO, do të pezullohej”, thotë Phillips.

Wisner argumenton se forcat amerikane përmbushin një rol të dyfishtë në Kosovë, duke vepruar jo vetëm si mbrojtëse, por edhe si simbol i angazhimit të SHBA-së.

“Nuk është mirë të mendosh se çështjet e kësaj natyre zgjasin përgjithmonë. Por, duke pasur parasysh gjendjen e pazgjidhur të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shpresoj se trupat amerikane do të vazhdojnë të jenë pjesë e regjimit të sigurisë, në të cilin jeton Kosova”, thotë Wisner.

Mendimet e disa qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë përputhen ngushtë me ato të analistëve. Shumica besojnë se presidenca e Harrisit, ndryshe nga ajo e Trumpit, do ta ruante frymën e stabilitetit.

“Unë mendoj se Harris do të ishte më mirë. Edhe për Kosovën, mendoj se do të ishte më mirë. Do të na ndihmonte, sepse ne kemi nevojë për ndihmë. Siç na ka ndihmuar Clinton… Kurse, Trump është më agresiv, ma merr mendja se nuk do t’i ndihmonte Kosovës”, thotë Naser Leci.

Vjosa Thaçi beson se “zgjedhjet do të fitohen nga Trump”.

“…edhe pse Harris është kandidate më e preferuar për ne shqiptarët. Kjo, për faktin se ajo i përket partisë tradicionale që ne shqiptarët e Kosovës e përkrahim gjithmonë”, sipas saj.

“[Harris] është treguar më e mirë për popullin, për ekonominë amerikane, për multipolaritetin që ka Amerika. Harris nuk ka treguar refuzim ndaj komuniteteve tjera, sikurse Trump që është kundër të huajve dhe kërkon sanksione ndaj tyre. Edhe ndaj botës, [Harris] më duket se ka një qëndrim më liberal”, thotë Bujar Tresi.

Me një kandidate që nuk e ka pasur Kosovën në portofolin e saj të karrierës dhe me një kandidat të paparashikueshëm në vendime, mbetet e paqartë nëse Kosova do të vazhdojë të ketë një aleat konstruktiv në SHBA, apo do të përballet me pengesa të reja.

Gara mes tyre është tejet e ngushtë.

Me fjalët e ambasadorit Frank Wisner, Kosova duhet të ketë durim – të fokusohet në ngritjen e kapaciteteve ekonomike dhe përmirësimin e qeverisjes, pa pasur iluzione se do të njihet shpejt nga Serbia dhe do t’i hapen rrugët për integrim në BE a OKB./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika