Sali Berisha nis fushatën për të parin e Partisë Demokratike Shqiptare (PD), duke qenë person ‘non grata’ nga aleati strategjik i Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai theksuar se vetëm me të fiton PD-ja.
Ai po synon që përmes tubimeve nëpër qytete të ndryshme, t’i bindë demokratët që t’ia japin votën për ta drejtuar partinë.
Berisha ka sfiduar dhe pranuar në garë të gjithë kundërkandidatët.
“Kushdo që të vijë të garojë me mua është i mirëpritur. Nëse nuk fitoj, e respektoj”.
“Nëse në zgjedhjet lokale humbas, do të vij të votohem te ju. Po humba zgjedhjet e përgjithshme, largohem dhe jap dorëheqjen”, është shprehur Berisha.
Më tej, ish-kryeministri tha se “bunkerizimi i PD-së nuk mund të bëhej kurrë”.
“Ne kaluam një krizë dhe ish-kryetari i PD-së dha dorëheqjen për zhvillimet, siç e tha vetë ai nga 9 shtatori deri sot”, ka shtuar ai.
“Unë, ju them ju se, asnjë demokrat i Tepelenës, Gjirokastrës, apo Shqipërisë, që gjatë këtyre muajve ndoqi në një mënyrë apo një tjetër ish-kryetarin, nuk ka asnjë përgjegjësi për vendimin e 9 shtatorit, sepse ai nuk pyeti asnjërin mbi tokë”, deklaroi Berisha nga Tepelena, duke i’u referuar kryetarit të dorëhequr, Lulzim Bashës.
Sipas tij, Basha nuk pyeti institucionet as forumet e partisë.
Sali Berisha në tubimin e tij në Përmet ka thënë se, “koha është e pameshirë, ikën. Ne duhet të bashkohemi. Ne do të nisim protesta të mëdha, se ne jemi të vjedhur”.
Ish-kryetari PD-së dhe ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, është shpallur person “non grata” nga Depertamenti i Shtetit Amerikan, më 19 maj të vitit të kaluar.
Përveç Berishës, “non grata” ishte shpallur edhe familja e tij, thuhej në njoftimin e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në rrjetin social Twitter.
.@SecBlinken: Former President of Albania Sali Berisha’s corrupt acts undermined democracy in Albania. I am publicly designating Berisha and his immediate family members as ineligible for entry into the United States.
Press Statement, May 19, 2021: https://t.co/huYnyZNdhn
— U.S. Embassy Vienna (@usembvienna) May 19, 2021
Berisha është futur në listën e personave të ndaluar për aktet e korrupsionit, që sipas DASH-it, minojnë demokracinë.
Antony Blinken, kishte shkruar se “Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, prandaj edhe u ndalohet hyrja në vend”.
“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, kishte thënë Blinken.
SHBA-të kishin deklaruar se janë kundër korrupsionit ashtu siç janë edhe “partnerët” e tyre në Shqipëri.
Berisha ishte përjashtuar mu për këtë vendim, nga ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, dhe në një deklaratë publike të demokratëve thuhej se “ish-kryeministri dhe ish-presidenti, Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamenar të PD”.
Vendimi i PD-së për largimin e Berishës ishte parë si presion nga SHBA-të.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, i kishte kërkuar, publikisht, në fund të korrikut Lulzim Bashës, që PD-ja të distancohej nga Berisha, qysh para fillimit të legjislaturës së re parlamentare.