Mediat hungareze kanë raportuar se një ushtari hungarez të KFOR-it i është amputuar këmba pasi ka marrë lëndime gjatë tensioneve në komunën e Zveçanit më 29 maj.
Siç ka raportuar media hungareze, Telex, disa nga ushtarët hungarezë të plagosur u dërguan në Hungari me aeroplan të mbrojtjes kombëtare menjëherë të nesërmen, ku pastaj ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Kristof Szalay-Bobrovniczky, ka raportuar për gjithsej 27 ushtarë të plagosur.
Ministria Hungareze e Mbrojtjes ka thënë se shumica e ushtarëve hungarezë tashmë kanë mundur të shkojnë në shtëpi, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë ende duke u trajtuar në spital.
“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum. Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një prej tyre kërkonte një ndërhyrje me amputim të gjymtyrëve, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Kujtojmë se, që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.
Kryetarët e rinj u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në tri komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Më 29 maj, ndodhi një përleshje mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në protestën e 29 majit në qytetin e Zveçanit në veri, grupi i protestuesve serbë ka sulmuar trupat e KFOR-it me gjësende të forta. Trupat e KFOR-it ishin vendosur para objektit të komunës si masë sigurie.
Misioni paqeruajtës i NATO-s ishte paralajmëruar për situatën dhe kishte ndërhyrë për të përmbajtur tensionet, por protestuesit nuk u bindën nga kërkesat e tyre. Në rezultat, në zonë u shpërthyen gaz lotsjellës, u hodh zjarr dhe u përdorën shtëllunga të ndryshme, duke shkaktuar kështu një situatë kaotike. Sirenat dhe shpërthimet ishin të dukshme në zonë.
Situata mes Kosovës dhe Serbisë është përkeqësuar më shumë edhe më 14 qershor, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës, të cilët u liruan pas 13 ditësh nga Serbia.