Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj me ambasadorin e ShBA-së, Jeffrey Hovenier, ka pritur në takim senatorin Gary Peters, me të cilin kanë diskutuar për situatën aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë, kontributin e ofruar nga Kosova si pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Gjatë këtij takimi Mehaj ka theksuar faktin e mbështetjes që Rusia gjenë nga Serbia në Ballkan.
“Gjithashtu senatorin e njoftova për zhvillimet në Kosovës, procesin e dialogut me Serbinë, si dhe avancimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në implementimin e Planit Gjithpërfshirës të Tranzicionit, bashkëpunimin me partnerët tanë strategjik, e po ashtu për ushtrimin ndërkombëtar që po zhvillohet në Kosovë, Defender Europe ’23, si shembull konkret që dëshmon ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për të siguruar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë”, njiofton Mehaj.
Ministri Mehaj njofton tutje se senatori Gary ka shprehur vlerësimin e tij për avancimet që Kosova ka bërë jo vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes por gjithashtu në “mirëqeverisjen e vendit në shumë drejtime”, duke dëshmuar qëndrimin pro vlerave perëndimore dhe pro NATO-s.
“ShBA është aleati ynë strategjik me të cilin na bashkon e kaluara dhe e ardhmja të cilën do e ndërtojmë, me Kosovën si pjesë e BE dhe NATO-s”, shkruan Mehaj.