Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ministrin Elbert Krasniqi, të dielën e 22 janarit, kanë vizituar komunën e Skenderajt dhe të Mitrovicës.
Mehaj, pas kësaj vizite, ka theksuar se mbështetja e FSK-së po vazhdon edhe të dielën, duke shpërndarë ushqim dhe pajisje higjienike për qytetarët.
“Sot, bashkë me kryeministrin, Albin Kurti dhe ministrin, Elbert Krasniqi, vizituam zonat e prekura nga vërshimet në komunën e Skenderajt, ku u pritëm nga kryetari, Fadil Nura dhe komunën e Mitrovicës, kryetari, Bedri Hamza. Mbështetja nga FSK-ja sot është duke vazhduar me shpërndarjen e pakove me produkte ushqimore dhe higjenike për qytetarët”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook.
Ndërkaq, ai ka drejtuar një falënderim për ushtarët e tri regjimenteve që udhëhiqen nga toger Ilirjanë Bunjaku, të cilët sipas tij, kanë qenë të gatshëm t’u dalin në ndihmë qytetarëve që nga dita e parë e vërshimeve.
“Falënderim për ushtarët tanë të tri regjimenteve të udhëhequr nga Toger, Ilirjanë Bunjaku, të cilët kanë bërë punë të shkëlqyer dhe të palodhur që nga dita e parë e vërshimeve”, ka vijuar Mehaj.