Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka uruar Shqipërinë për 28 Nëntorin, 110 vjetorin e Pavarësisë.
“Kisha nderin dhe kënaqësinë që në këtë datë historike të jem ftuar në Mushtisht, në ceremoninë e zbulimit të shtatoreve të dy figurave më të çmuara të kombit tonë, atdhetarit Hasan Prishtina, simbolit të Rilindjes Shqiptare, si dhe Komandantit legjendar Adem Jashari”, ka thënë Mehaj.
Mehaj ka shtuar se figura të tilla si e Hasan Prishtinës dhe Adem Jasharit nuk njohin kufi shtetëror, “ngase të tillë kufi nuk kishte për ta as sa ishin gjallë”.
“Hasan Prishtina, nuk ishte i Prishtinës e as i Vushtrrisë, ashtu siç edhe Ademi nuk ishte vetëm i Drenicës, por ashtu siç edhe sot, ishin gjithmonë të atdheut, të çdo treve ku flitet shqip, ku buron dashuria për vendin dhe guximi për të luftuar”, ka shtuar ministri Mehaj.
Mehaj ka theksuar se këto dy figura kishin origjinën, trimërinë “që ishte produkt i rritjes në frymën atdhetare, që nuk linte zgjidhje tjetër përveçse për të kuptuar rëndësinë e organizimit politik, rëndësinë e kryengritjes kundër pushtuesve e formimit të një shteti demokratik shqiptar”.
“Në mendjen e këtyre dy figurave tona kombëtare jehonte fuqishëm idea e çlirimit të trojeve shqiptare, e lidhja e pashkëputshme e Kosovës me Shqipërinë, dhe ashtu si në çdo periudhë historike, kauza bashkoi rrugëtimin e tyre me patriotë tjerë, Hasan Prishtina i parapriu Adem Jasharit, për të përmbyllur një epokë betejash e luftrash të përgjakshme, të padrejta për popullin shqiptar por të domosdoshme për t’i dhënë fund terrorit dhe për t’ia kthyer popullit lirinë”.
Ministri Mehaj ka cituar veprimtari Hasan Prishtina derisa thoshte se pa “Kosovë nuk ka Shqipëri’’ dhe tha se shumë rrethana mund të kenë ndryshuar nga atëherë, “ne sot kemi kemi dy shtete por asgjë nuk e ndryshon faktin se jemi një komb, flasim një gjuhë e duam një flamur”.
“Dhe asgjë nuk na bënë të ndihemi më në borxh ndaj atdheut sesa pikërisht veprimtaria e figurave të tilla historike që i dhanë popullit guxim e kombit domethënie”.
Mehaj ka potrncuar se njeriu pa kombin është asgjë, e kombi pa brezat e ardhshëm shuhet, “andaj edhe angazhimi ynë për rininë është detyrë kombëtare, amanet i të parëve e porosi e rilindësve”.
“Hasan Prishtina e Adem Jashari, na bënë bashkë edhe sot, ashtu siç bënë gjithmonë, sepse figura të tilla nuk shuhen kurrë”.