Ministrit të Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, i është dhënë titulli “Qytetar nderi” nga kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj.
Mehaj u shpreh mirënjohës dhe falënderues për titullin e dhënë nga kryetari i kësaj bashkie.
Ai tha se gjatë karrierës së tij ushtarake ka udhëtuar në shume vende të botës “por e vetmja rrugë që nisem me gëzim është rruga drejt Shqipërisë”.
Në fjalimin e tij, Mehaj e përmendi edhe ndihmën e Shqipërisë në kohën e luftës së Kosovës me Serbinë, teksa përmendi edhe komandantin e UÇK-së, Adem Jashari, i cili kishte kryer stërvitje në Shqipëri.
“Në krye të luftës tonë çlirimtare ishte komandanti legjendar, Adem Jashari, ai dhe shumë ushtarë të UÇK-së u stërvitën në Shqipëri, konkretisht në Burrel, dhe derisa po vija rrugës e ndjeja se po i afrohesha komandantit tonë, po i afrohesha burimit të përgatitjes e organizimit të UÇK-së, qarkut të Bashkisë Mat, po i afrohesha Burrelit”, tha ai.
Në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, sipas Mehaj, ka luajtur rol të rëndësishëm edhe shteti i Shqipërisë.
“Rrugëtimi ynë drejt lirisë dhe shtetësisë ka kaluar pikërisht përmes jush, përmes këtij vendi ku jemi sot. Sot 25 vite pas, jemi sërish këtu në këtë vend, me të cilin, e kaluara dhe e ardhmja jonë është e lidhur ngushtë”, u shpreh Mehaj.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve të Shqipërisë që ta vizitojnë më shpesh Kosovën.
“Ne ju presim me krahë të hapur gjithmonë”, përfundoi Mehaj.