Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, të enjten e tetë qershorit është nderuar me titullin “Qytetar nderi”, nga komuna e Gostivarit.
Me anë të një postimi në Facebook, Mehaj ka thënë se ky titull dikur ishte ëndërr e tij, që tani i është bërë realitet.
“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut sot më nderuan dhe respektuan, veçanërisht çmoj shumë vlerësimin dhe kontributin e kryetarit z. Arben Taravari, si mjek, profesor dhe politikan. Të mbash çelësin e Komunës ka një domethënie të madhe. Kjo për mua paraqet një privilegj, por njëherit edhe obligim moral dhe kombëtar që Gostivarin gjithnjë ta kem në mendje dhe zemër në aktivitetet e mija derisa të jem”, shkroi Mehaj.
Çka do të thotë t’i japësh dikujt “Çelësin e Qytetit?”
Mehaj ka theksuar se akti i “dhënies së çelësit të qytetit”, është vazhdim i një praktike mesjetare, ku qytetet evropiane ishin të rrethuara me mure dhe portat mbylleshin natën, për arsye sigurie.
Por, siç thotë ministri i këtij dikasteri, ai që kishte marrë çelësin mund të hynte dhe dilte në çdo kohë, dhe kjo konsiderohej nder shumë i madh për individin në fjalë.
“Pavarësisht nëse është një derë, një arkë thesari ose një sekret, çelësat hapin gjërat dhe na lejojnë të prekim të panjohurën. Të jesh i besuar me çelësin e pasurive të çmuara të dikujt na tregon vetëm për besimin dhe besnikërinë që ai ose ajo ndjen ndaj nesh. Çelësi i qytetit iu dha banorëve dhe vizitorëve të besuar që mund të hynin ose të dilnin nga qyteti sipas dëshirës së tyre. Ky shërbeu si një gjest besimi dhe besnikërie, duke ditur se nuk do të ktheheshin me ushtri për të rrethuar qytetin”, shtoi më tutje ai.
Gjesti i dorëzimit të çelësave të qytetit nderon persona të shquar, vizitorë të besuar, të ftuar dhe banorët e qytetit.
“Uroj që kjo të jetë një fillim për vazhdim të aktiviteteve në të mirën e komunës dhe qytetarëve të Gostivarit. Ky çelës më obligon që të respektoj sikur vëllezër të gjithë qytetarët e Gostivarit. Gjithashtu, dua të përgëzoj kryetarin për punën e shkëlqyer që është duke e bërë në shërbim të qytetit dhe qytetarëve këtu. I falënderoj të gjithë ato që kontribuuan në realizimin e këtij solemniteti të ndarjes së çelësit të komunës”, përfundoi Mehaj.