Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka deklaruar se Kosova ka një destinacion final, i cili sipas tij, është anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO.
Ai këtë deklaratë e ka bërë gjatë takimit me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në takim me Eskobar ka diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, bashkëpunimin që ka vendi me misionin e KFOR-it dhe NATO-s.
Nëpërmjet njoftimit në Facebook, Mehaj ka thënë se vendosja e 48 bazave ushtarake serbe afër kufirit të Kosovës nuk do ta ndryshojë faktin që rendi në Ballkan është i pandryshueshëm, përveçse “shpërfaq hapur një klasë politike të një mendësie të vjetër me pikëpamje shumë larg vlerave demokratike të Bashkimit Evropian dhe edhe më larg qëllimit të NATO-s”.
Po ashtu, ai ka thënë se i ka treguar atij për “politikat destabilizuese të cilat po i ndjek pala serbe përmes shpërndarjes së informatave të pavërteta, bashkëpunimit me Federatën Ruse dhe presionit të vazhdueshëm që ushtrojnë mbi qytetarët e Kosovës dhe pjesëtarët e FSK-së të komunitetit serb, të cilët jetojnë në pjesën veriore të vendit”.
Mehaj ka theksuar edhe një herë se qëndrimet e Kosovës janë të qarta, ashtu si gjithmonë është pro politikave evropiane, krijimit të një ambienti të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie, dhe për këtë ai ka thënë se angazhohen çdo ditë.
Ndërkaq, ka bërë të ditur se e ka njoftuar Escobarin me avancimet e FSK-së, si “zbatimin e fazës së Parë të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të hartuar bashkërisht me ISG ( Institutin për Qeverisje të Sigurisë ) dhe faktin që aktualisht jemi në fazën e dytë të implementimit të këtij plani, bashkëpunimin që e kemi me KFOR-in në monitorimin e gjithë territorit të Republikës së Kosovës, përkrahjen e ofruar për aleatët tanë, shtetet anëtare të NATO-s, në misionin për evakuimin e refugjatëve afganë, si dhe transportimin e ndihmave për popullin ukrainas”.
Sipas tij, e njëjta gjë nuk është njëjtë për palën serbe, të cilët vazhdojnë të mos vendosin sanksione për Federatën Ruse, ndonëse po shohin çdo ditë ashtu si e gjithë bota agresionin rus dhe krimin ndaj popullit ukrainas.