Këtë të shtunë është mbajtur forumi “Women, Peace, Security” dhe është trajtuar tema “Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën dritën e vazhdueshme të ndryshimeve të arkitekturës së sigurisë”.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në këtë forum ka thënë se integrimi i gruas në sektorin e sigurisë përbën një çështje të rëndësishme, ngase sipas tij është iluzion të besojmë se do kemi stabilitet të qëndrueshëm pa përfshirjen e gjysmës së popullsisë, pa përfshirjen e grave.
Mehaj ka thënë se Kosova si një vend i dalur nga lufta ka të freskëta ende kujtimet nga ajo periudhë.
“Gratë dhe burrat kanë përjetuar luftën e vitit ’99 në mënyra të ngjajshme por dhe shumë të ndryshme”, ka shkruar Mehaj, Ai shtoi se ashtu siç ka ndodhur në luftën në Bosnje dhe në Kosovë, gratë dhe vajzat kanë qenë ato të cila kanë vuajtur mizoritë e luftës”, ka shkruar Mehaj.
Ministri Mehaj ka shtuar se pushtuesi serb ka përdorur si armë lufte dhe dhunën seksuale, ku shtoi se numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është 20 mijë.
“Prandaj, për gratë në një shoqëri ku ende vazhdon stigmatizmi periudha pas konflikteve është tejet e rëndësishme. Ato nuk duhet të jenë viktima të heshtura, por kanë nevojë për qasje në drejtësi, që është më shumë se vetëm ligj, është sistem, është gjithçka që vjen pas luftës”, thuhet tutje në postimin e ministrit të Mbrojtjes.
Mehaj ka shtuar se gjatë kohës kur lufta në Ukrainë po vazhdon, janë duke u bërë demonstratat e grave, të cilat duan të kthejnë vëmendjen tek fakti se nuk do të ketë stabilitet përderisa nuk respektohen të drejtat e njeriut.
“Nëse nuk reagojmë kundër dhunës, ekstremizimit, kjo do prekë dhe pjesën tjetër të botës”.
“Për mua si ish-ushtarak, është shumë familjare shprehja ‘’Nëse doni paqe, duhet të përgatiteni për luftë’’, andaj ministria e mbrojtjes në këtë aspekt ka bërë përpjekje maksimale për përfshirjen e grave në Forcën e Sigurisë së Kosovës”.
Ministri Mehaj ka theksuar se në Forcën e Sigurisë së Kosovës 11,3 për qind janë gra por ai thotë se synimi i tyre është që përqindja e përfshirjes së grave në ushtri të rritet.
“Padyshim që realizimi i këtij synimi është i vështirë ngase ushtria ende konsiderohet si vend për burrat, kjo edhe për shkak të vështirësive në planifikimin familjar, oraret e zgjatura të punës, kujdesin ndaj familjarëve, dhe rastet e ngacmimeve, megjithatë vullneti ynë është i hekurt në këtë drejtim”.
Ndërsa, për të eliminuar të gjitha pengesat, Mehaj tha se do të marrin masat që përbërja e secili bord përzgjedhës të jetë e balancuar në aspektin gjinor.
“Procedurat e hapura të rekrutimit, pagë të njejtë për grade të njejtë për të dyja gjinitë, ngritja në grada në bazë të meritokracisë, grantimin e zbatimit të Ligjit për pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror, dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri, duke u mundësuar pushime dhe pauza me pagesë, do të jenë elemente inkurajuese për integrimin e grave”.
Mes tjerash Mehaj shtoi se shumë gjatë gratë kanë qenë jashtë dialogut për sigurinë dhe për këtë arsye synojnë që kësaj t’i japin fund.