Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj ka reaguar pas takimit me ushtruesin e detyrës së Ministrit të Mbrojtjes të Malit të Zi, Filip Adziq.
Mehaj ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin fqinjësor në fushën e Smart Defense, zhvillimit të kapaciteteve ushtarake profesionale përmes realizimit të ushtrimeve dhe trajnimeve të përbashkëta ndërmjet dy ushtrive, e po ashtu diskutuam rreth ushtrimit fushor Defender ’23, si ushtrimin më të madh ndërkombëtar ku Republika e Kosovës është nikoqire.
“Ministrin e njoftova rreth zhvillimeve të FSK-së, fazën ku jemi në zbatimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit, ndryshimet ligjore, rekrutimet e fundit e gjithashtu për synimet e qarta që kemi për anëtarësim në nismat rajonale, në A5, RACVIAC dhe në Programin e Partneritetit për Paqe”, ka thënë Mehaj.
Ministri Mehaj ka shtuar se ministri Adziq ka theksuar se agresioni rus në Ukrainë ka qenë mesazh se duhet ndryshuar mënyrën e të funksionuarit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si shtete relativisht të vogla që duhet mbështetur njëra-tjetrën për të ruajtur stabilitetin e rajonit.
“Bashkë me ministrin Adžić vizituam Qendrën e Studimeve Universitare si dhe Qendrën e Kërkim-Shpërimit në Pomozotin, nga ku ministri shprehu vlerësimin e tij të lartë për profesionalizmin e pjesëtarëve të FSK-së si dhe faktin që kontigjenti ynë i specializuar është duke marr pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi”, ka potencuar Mehaj.
Sipas Mehajt, ministri Adžić ka theksuar se “ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën por është në dorën tonë që të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët, e në këtë aspekt Mali i Zi është i gatshëm të mendoj jashtë kutisë, dhe se Republikën e Kosovës e sheh si shtet partner që përtej aspektit gjeografik, shtrirjes brenda Ballkanit Perëndimor na bashkojnë vlerat e përbashkëta demokratike, euro-atlantike të cilat përqafojmë e ndjekim, andaj edhe një herë ritheksoi se Republika e Kosovës do të ketë përkrahjen e Malit të Zi për anëtarësim në Programin e Partneritetit për Paqe si rrugë drejt anëtarësimit në NATO”.