Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, të enjten e 21 prillit ka njoftuar se ka filluar procesi planifikues për pjesëmarrjen në stërvitjen më të madhe në Evropë të forcave amerikane me aleatë “Defender Europe 23”.
Ai, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se objektivë kryesore për vitin 2022/23 është zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e integritetit territorial, pavarësisë dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës.
“Sot pata kënaqësinë t’i vizitoj oficerët, nënoficerët dhe nëpunësit në SHP të FSK-së për t’i uruar dhe përgëzuar për fillim të mbarë të ndërmarrjes më të madhe stërvitore në historinë tonë ‘Defender-Europe ’23’, së bashku me forcat e 28 vendeve aleate të udhëhequra nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë dhe Afrikë”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka potencuar se përmes “Defender-Europe’23”, do të rikonfirmohet gatishmëria për t’iu dhënë kontributi efektiv, bashkë me forcat e vendeve aleate, në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, kontinental dhe global.
“Vazhdojmë fuqishëm rrugën përpara! Vazhdojmë fuqishëm drejtë sukseseve të reja! Së bashku më të fortë me forcat aleate amerikane dhe gjithë aleatët tjerë”.
Ndërkaq, Mehaj më 25 mars të këtij viti, kishte bërë të ditur se pas suksesit të FSK-së në vitin 2021, FSK-ja do të marrë pjesë edhe me dy regjimente në ushtrimin e radhës Defender Europe 23.
“Këtu do të kemi edhe role kyçe në udhëheqësi, në komandë, por edhe do të vlerësojmë e validojmë regjimentet që do të marrin pjesë”, ishte shprehur ai.
Ndryshe, mbi një mijë ushtarë të FSK-së do të stërviten nga forcat amerikane në Evropë “Defender Europe 23”.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, kishte njoftuar se ushtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës do të jenë pjesë e kësaj stërvitje bashkë me ushtarë të 28 vendeve antare të NATO-s.