Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, ka pritur në vizitë zv.kryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, të premten e 13 janarit.
Ministri Mehaj ka thënë se gjatë këtij takimi, kanë diskutuar për integrimin e pjestarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në FSK, “si dhe rëndësinë e madhe që ka inkuadrimi i të rinjve dhe të rejave nga radhët e tyre edhe në kuadër të konkursit aktual”.
“Ishim të një qëndrimi që Ushtria e Republikës së Kosovës është profesionale dhe multietnike, e cila realizon misionin kushtetues dhe detyrat ligjore në shërbim të mbrojtjes së vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike”, ka shtuar tutje ministri Mehaj.
Tutje Mehaj ka potencuar se për konkursin që veçse është i hapur për të rekrutuar ushtarë të rinj, me mesazhin e përbashkët, “ftojmë të gjithë interesuarit ndërmjet moshës 18-25 vjeç, pa dallim përkatësie etnike, të aplikojnë për të mirën e përbashkët”.