Mehaj realizoi takime të rëndësishme në selinë e NATO-s në Bruksel, u theksua mbështetja për Kosovën

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka realizuar takime të rëndësishme në selinë e NATO-s në Bruksel. Në të gjitha takimet, nga të gjithë pjesëmarrësit, është theksuar nevoja e shpeshtimit të takimeve të tilla, me qëllim të mbështetjes së Kosovës në rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, në Bruksel (Foto e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës)

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në NATO, Astrit Zemaj, u.d. i shefit të Stafit të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, kolonel Ejup Maqedonci dhe shefi i Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes, Hasan Hoxha, ka realizuar takime të rëndësishme në selinë e NATO-s në Bruksel.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, aktivitetet në selinë e NATO-s filluan me takimin me zv.ndihmëssekretaren e përgjithshme për Operacionet të NATO-s, Burcu San, ku u diskutua për tema të shumta që ndërlidhen me sigurinë, sfidat, arritjet dhe mundësitë e bashkëpunimit të Kosovës me NATO-n.

Ndërkaq, takimi i dytë u realizua me ambasadorët e vendeve të Quint-it në NATO, ndërsa takimi qendror u realizua në sallën e konferencave të NATO-s, ku fillimisht, ministri Mehaj prezantoi dhe informoi ambasadorët e vendeve të NATO-s, për situatën e sigurisë në botë dhe impaktin në Ballkanin Perëndimor, pastaj për objektivat e tij për zhvillimin e Forcës, bashkëpunimin ndërkombëtar bilateral dhe multilateral, bashkëpunimin me NALT dhe KFOR, si dhe rrugën përpara në aspektin e bashkëpunimit me NATO-n.

Pastaj, ambasadorë nga vende të ndryshme në adresimet e tyre e vlerësuan shumë lart procesin e zhvillimit të FSK-së, angazhimin e saj në operacione ndërkombëtare, përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes për bashkëpunimin rreth menaxhimit të situatës me refugjatët afganë, si dhe dedikimin e Kosovës për përpjekjen e përbashkët të aleatëve dhe partnerëve pas agresionit rus në Ukrainë.

Në fund, ministri Mehaj dhe delegacioni nga Kosova zhvilluan një takim të frytshëm me zv. kryesuesin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjenerallejtënant Lance Landrum, me të cilin ndanë vizionin për zhvillimin e FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s, angazhimin e përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe rritjen e bashkëpunimit me NALT dhe KFOR.

Ndër të tjera, me gjeneral Landrum u diskutua për rëndësinë që ka pjesëmarrja e FSK-së në stërvitjen “Defender Europe ‘23” si dhe statusit të Republikës së Kosovës, ndër vendet pritëse të kësaj stërvitjeje.

Nikoqir i delegacionit të Kosovës në selinë e NATO-s ishte ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në NATO, David Quarrey, i cili vlerësoi shumë lart progresin e FSK-së në të gjitha fushat.

Njashtu, ambasadori Quarrey dhe stafi i tij shoqëruan dhe mbështetën delegacionin e Kosovës në të gjitha aktivitetet e zhvilluara në selinë e NATO-s.

“Në të gjitha takimet, nga të gjithë pjesëmarrësit, u theksua nevoja e shpeshtimit të takimeve të tilla, me qëllim të mbështetjes së Kosovës në rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike”, kështu ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi në Facebook.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika