Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, këtë të hënë është takuar me homologun e tij nga Finlanda, Mikko Savola, i cili është ministër në detyrë.
Mehaj ka bërë të ditur se me Savola-n, kanë diskutuar për “për synimet tona të përbashkëta për anëtarësim në NATO”.
Po ashtu, sipas Mehajt, është diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, për trajnimet e përbashkëta dimërore.
“Gjithashtu temë diskutimi ishte edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë, trajnimet e përbashkëta dimërore ndërmjet dy forcave, dhe shkëmbimi i përvojës së Ushtrisë Finlandeze sa i përket konceptit të rezervës vullnetare, që së shpejti do të jetë formë e shërbimit edhe në ushtrinë tonë”, ka shkruar Mehaj.
Ministri Mehaj, tha se Savola-n e ka informuar për “zhvillimin e FSK-së, implementimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit, si dhe gatishmërinë tonë për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme në misionet e NATO-s, ashtu siç kemi vepruar duke asistuar në operacionin për evakuimin e refugjatëve afgan, si dhe ofrimin e trajnimeve për ushtarakët ukrainas”.
Mehaj ka theksuar se Finlanda mbetet shtet mik i Kosovës dhe se të dyja vendet ndajnë vlerat e përbashkëta demokratike.