Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka uruar 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
“Sot teksa kremtojmë e urojmë njëri tjetrin, nuk kemi sesi të mos kujtojmë të gjithë ata të cilët kontribuan për lirinë e vendit dhe pavarësinë e popullit. Ata të cilët punuan e luftuan për atdheun duke lënë gjurmë të pashlyeshme në të sotmen dhe të ardhmen tonë.
Ditë si kjo na shërbejnë për të reflektuar rreth asaj që mund e duam të arrijmë si shtet”, ka shkruar Mehaj.
Ministri Mehaj ka thënë se e kaluara e popullit jonë ishte sa e lavdishme po aq e vështirë.
“17 shkurti shënon gjithë të kaluarën tonë shekullore, mijëra vite burg e betejash, civilë të vrarë, gra e burra të dhunuar, e dëshmorë të rënë në altarin e lirisë, që si rrënjët e një trungu na mbajnë të lidhur e të palëkundur në tokën ilire”, ka shtuar Mehaj.
Ministri i Mbrojtjes ka theksuar se “E kaluara, e tashmja dhe ardhmja vërtetë janë periudha të ndara kohore por janë të pashkëputura nga njëra-tjetra, të pandara në memorien tonë kolektive, ngase e kaluara i dha formë kësaj Republike, ndërsa e tashmja shpresë e kuptim të ardhmes”.
Mehaj ka potencuar se më 17 shkurt të vitit 2008, Evropës iu ka shtuar dhe një shtet që bartë vlerat demokratike, ndërsa për popullin e Kosovës u vendos e drejta e mohuar për shekuj me rradhë.
“Asgjë nuk do të ishte e mundur pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vullnetin e hekurt të veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, andaj u jemi falenderues gjithmonë”, ka thënë tutje Mehaj.