Mehmeti: Është problematike nëse një polic nuk di të shkruajë; pyetjet e testit ishin të shkollave fillore

Samedin Mehmeti, Drejtor i Policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti gjatë raportimit para Komisionit për Siguri, ka folur për konkursin e rekrutëve të rinj në kuadër të Policisë.

Mehmeti, u pyet nga kryetari i komisionit dhe njëkohësisht deputet i AAK-së, Bekë Berisha, në lidhje me pyetjet e testit me shkrim, të cilat, sipas Berishës, kanë qenë tejet të vështira dhe jo të përshtatshme për kandidatët.

Sipas tij, kjo ka bërë  që një numër i madh i kandidatëve të mos e kalojnë fazën testuese me shkrim.

Po ashtu, ka kërkuar sqarime nga Drejtori i Policisë, për rënien e sistemit dixhital, në të cilin janë testuar kandidatët për rekrutë të policisë.

“A është plotësuar numri i rektrutëve që ka qenë i nevojshëm? A ka ra sistemi disa herë, sistemi dixhital? Pyetjet kanë qenë pyetje të lehta? Unë ia kam sjellë  deputeteve dhe nuk e di a kanë  ditur t’i  zgjedhin,  unë e ti, apo ndërkombëtarët, a dinë? Jemi duke folur për rekrutë për djem e vajza e të rinj, dhe t’i ngarkoni kaq shumë ata nuk ka pasur nevojë, kjo ka bërë  të bien një numër shumë i madh i këtyre”, ka thënë Berisha.

Mehmeti, i është përgjigjur duke thënë se, Policia e Kosovës nuk janë të specializuar për t’i përpiluar pyetjet e matematikës apo të gjuhës. Sipas tij, ata kanë angazhuar ekspertë të fushave përkatëse, për t’i përpiluar pyetjet në testin me shkrim.

Ai ka dhënë disa arsye se pse kanë futur pyetje të gjuhës shqipe dhe të matematikës në test.

Sipas Mehmetit, ka shumë policë aktual që nuk dinë të shkruajnë një raport policor në mënyrë të mirëfilltë e të kuptueshme.

Po ashtu, Mehmeti, është shprehur se nëse një polic nuk e di mirë gjuhën shqipe dhe bazën e matematikës është e vështirë të funksionojë si duhet.

“Kam problem ta kuptoj çka thotë një polic në një raport. Nëse dikush nuk e din mirë gjuhën shqipe është problematike. Ne nuk mundemi t’i mësojmë trajnerët, e kanë problem ta  mësojnë gjuhë shqipe apo matematikë ne nuk jemi të trajnuar për atë gjë. Ne kemi konsultuar profesorë që të mos kritikohet policia që nuk dinë të shkruajnë”, ka deklaruar Drejtori i Policisë së Kosovës.

Drejtori i Policisë, ka shtuar se, sipas tij, është problematike nëse një polic, nuk di t’i shkruajë mirë emrat e qyteteve të Kosovës, dhe ka përsëritur se nuk është  kompetencë e tyre t’u përzihen profesorëve si i përpilojnë pyetjet.

“Nëse një profesor thotë që një pyetje është për shkollë fillore, ne nuk mund të përzihemi te profesori. Një pyetje ka qenë si shkruhet emri Prishtina me ‘ë’ apo pa. Apo Gjakova me cilën Gj , kjo është problematike nëse nuk dinë të shkruajnë. Testi ka qenë në të kaluarën më i thjeshtë se tash, dhe kanë rënë më shumë se te ky test i 2021”, ka thënë ai.

Në konkursin e hapur për rekrutimin e kadetëve të rinj kanë aplikuar 11560 kandidatë, në testimin me shkrim, sipas Drejtorit të Policisë,  nga 8500 kandidatë që kanë marrë pjesë në testim, kanë kaluar 1447 prej tyre,  kurse kanë dështuar t’i marrin pikët e nevojshme mbi 7000 të tjerë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika