Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, deklaroi se rritja ekonomike në vitin 2023 pritet të shënojë ngritje prej 3 deri në 4 për qind, për shkak të tkurrjes së kërkesës së brendshme, rritjes së importit, por edhe eksportet sipas tij, kanë ndikuar pozitivisht.
Në një bisedë në emisionin “Radar” me Edita Doli, në Radio Dukagjini, guvernatori i BQK-së, theksoi se pavarësisht sfidave që kanë ardhur nga pandemia COVID-19 dhe krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, kanë arritur të sigurojnë stabilitet dhe siguri financiare.
“Përgjatë këtyre viteve sigurisht se jemi përballur me shumë sfida. Pandemia COVID19 dhe tashmë kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ishin ndër shkaktarët. Por, ne kemi treguar se pavarësisht krizave, ne kemi qenë shumë proaktiv, kemi marr shumë masa që të kemi siguri financiare. Për këto tregojnë edhe raportet e FMN-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe të tjera” ka thënë guvernatori i BQK-së.
Ndër suksese, guvernatori i BQK-së, përmendi edhe rastin që Kosova e ka fituar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbritazhit, kundër kompanisë financiare Iute Credit.
“Ky ka qenë ndër lajmet më të mira. U dëshmua një epilog 100 për qind në favor të vendit, u dëshmua që vendimi për revokim të licencës të IuteCredit ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm. Treguam se në Kosovë ligjet janë të mira, vetëm kërkohet zbatimi i tyre dhe dhamë mesazhe të qarta se kur është në pyetje zbatimi i ligjit, tek ne toleranca është zero”, ka thënë Mehmeti për Radio Dukagjini.
I pyetur se a ka pasur përpjekje që të ndërhyjë politika në punën e BQK-së, guvernatori Mehmeti tha se gjatë mandatit të tij, politika do të jetë larg këtij institucioni financiar.
“Kemi pasur lloj lloj intervenime, por unë kam qenë i zotuar t’a përfundoj mandatin tim dhe politika të jetë larg BQK-së. Puna ka treguar se ne kemi ruajtur stabilitetin financiar, vendimet që kemi marr kanë rezultuar të drejta dhe unë do të vazhdoj ta mbaj zotimin tim”, ka thënë Mehmeti.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka premtuar se gjatë vitit 2023, do të ketë takime direkte me qytetarë, do të jetë i hapur t’i dëgjoj dhe shqyrtoj ankesat dhe kërkesat e tyre, me synimin që ta rris transparencën 100%.