Pak pas orës 12 të së martës, në pikëkalimin kufitarë të Merdares hyri kamioni i parë me mallra serbe në territorin e Kosovës nga Serbia.
Kjo erdhi pasi 24 orë më herët, Ministria e Punëve të Brendshme, i dha leje Doganave të Kosovës, që për këtë pikë kufitare, të ndryshohet masa e sigurisë në kontrolle të shtuara.
Heqja e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë vjen pas presionit të madh që erdhi nga shteti gjerman.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për vendimin ka shkruar në rrjetin social “Facebook”.
“Bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdarë, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë. Andaj, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X. Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare,” ka shkruar Sveçla.
Për rrezikun që i kanosej nëse nuk ndërmerrte hapa në drejtim të heqjes së masës, zyrtarët Gjerman, përfshirë këtu të dërguarin e posaqëm për Ballkanin Përendimor, Manuel Sarrazin e edhe ambasadorin Rohde, nuk hezituan të flisnin hapur.
Bllokimi i punës së CEFTA-s, sipas tyre, do të rrezikonte pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit, javën e ardhshme.
Ndalimi i mallërave serbe, hyri në fuqi nga qershori i kaluar, si kundëpërgjigje për rrëmbimin e tre policëve nga Serbia në territorin e Kosovës.