Pasioni i tij për instrumentin nuk filloj qysh në moshë të re, mungesa e kuadrove për fagot e ka shtyer që të fillojë studimet e dyta dhe të bëhet ndër muzikantët e parë në Kosovë që ka studiuar për këtë instrument.
Rrugëtimin muzikor e ka vazhduar me instrumentin e fagotit, por me punën dhe përkushtimin e madh ka bërë që sot të jetë i anagazhuar në vendet e muzikantëve më të dalluar në vend, duke nisur nga Filharmonia e Kosovës, profesor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” dhe drejtor i Operës së Kosovës, punë të cilat kërkojnë disiplinë, vullnet dhe punë intensive.
Meriton Ferizi, në një intervistë për portalin Dukagjini ka treguar rreth eksperiencës së tij në fushën e muzikës.
Ai ka treguar se çfarë e ka shtyer që të studiojë për fagotin dhe pse pikërisht ka zgjedhur këtë instrument?
“Pas 4 viteve të studimeve për teori të përgjithshme muzikore, u hap konzervatoriumi në kuadër të Filharmonisë së Kosovës për instrumentet deficitare të munguara në Kosovë, që t’i kemi kuadrot tona për një të ardhme të shkurtë dhe mos të varemi nga kuadrot e angazhuara nga Shqipëria e Maqedonia, andaj unë nga 10 instrumente sa ishin për tu zgjedhur, e zgjodha fagotin pasiqë më përshtatet edhe me karakterin tim, si zë bariton dhe për shkak të tingullit të ngrohtë, ëmbël e karakteristikë dhe kështu vazhdova edhe 4 vite në fagot dhe 2 vite pastaj Master”, ka thënë Ferizi.
Ai veçse ishte pjesë e botës së tingujve dhe paraqitjet e tij në kuadër të studimeve padyshim kanë qenë të shumta, por si instrumentist cilat kanë qenë performancat e para dhe sa i kanë ndihmuar që ta mësoj më shpejt luajtjen në fagot.
“Paraqitjet e mia të para kanë qenë në kuadër të koncerteve të fakultetit me orkestër, muzikë kamertale e solo të ndryshme dhe kujtoj që isha shumë i angazhuar për shkak se të gjithë kishin nevojë për instrumentin e fagotit dhe isha i detyruar të luaja me shumë grupe, formacione apo ansamble në të njëjtën kohë, dhe pikërisht kjo gjë ishte shumë e rëndësishme për mua sepse e përvetësoja me hapa të shpejt këtë instrument të komplikuar dhe të vështirë në shumë aspekte”, ka shtuar instrumentisti.
Profesionet përgjithësisht kanë vështirësi të ndryshme por me përkushtim maksimal tejkalohen dhe përvetësohet çdo element gjatë procesit të mësimit.
Sfidat janë pjesa më e bukur e çdo rrugëtimi, qoftë nga ana personale dhe ajo profesionale por çdo person ka një element që e bën të veçantë, një prezantim, një paraqitje, një performancë unike, një përjetim i veprës të cilën e interpreton e shumë gjëra të tjera që muzikantët në këtë rast e përmbushin njëri-tjetrin kur ngjiten në skenë dhe prezantojnë një pikë muzikore para publikut.
Por për të arritur në pikën që secili të prezantojë vetvetën dhe vlerat artistike, duhet të kalojë faza të ndryshme profesionale të cilat iu japin më shumë siguri dhe stabilitet kur paraqiten në skenë muzikantët.
Ferizi ka treguar rreth paraqitjeve të tija si instrumentist të cilat i kanë ndihmuar të promovojë vetën më shumë dhe të arrijë më shpejtë të përvetësojë instrumentin.
“Rrugëtimin tim muzikor e ka karakterizuar përfshirja në shumë aktivitete të rëndësishme, ngjarje, festivale, ansamble instrumentale e vokale, bashkëpunime me teatër, balet, shotë etj., me një fjalë gjithçka që lidhet rreth muzikës”, është shprehur profesori.
Çdo aktivitet ka anët pozitive dhe negative të saj andaj muzika të jep shumë të pasuron në shumë dimensione si nga ana shpirtërore dhe profesionale.
Ferizi ka thënë që instrumenti i fagotit e ka përmbushur në të dy anët, si profesionalisht ashtu edhe shpirtërisht, “të mirat që mi ka sjell fagoti janë të shumta për shkak se me këtë instrument ndihem i përmbushur jo vetëm profesionalisht por edhe shpirtërisht dhe me plot energji e vullnet për të kontribuar në kuadrot e reja dhe në institucionet shtetërore”.
Teksa kohën më të madhe e kalon i angazhuar në institucionet muzikore, muzika domosdoshmërisht është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së tij.
“Tanimë gjithçka në përditshmërinë time natyrshëm lidhet me muzikën, për shkak të angazhimeve të shumta dhe obligimeve që i kam institucionale dhe ato private në raport me profesionin e muzikës”.
Ndërsa i pyetur se cilat nga performancat e tij i konsideron si më të veçantat, ai ka thënë se secila prej tyre e ka rëndësinë e vet.
“Paraqitjet janë të shumta dhe të panumërta në shumë vende si në Kosovë, rajon, evropë dhe botë me shumë grupe dhe të gjitha i konsideroj të rëndësishme, serioze dhe me vlerë”, ka shtuar ai.
Por i pyetur se sa ka interesim për këtë instrument, ai ka thënë që mungesa e degës së fagotit në nivelet më të ulëta të shkollimit muzikor ka bërë që mos të ketë numër të madh të studentëve të interesuar.
“Fatkeqësisht që shkollat e muzikës në Kosovë nuk po e hapin degën e Fagotit, që të kemi të interesuar që të vazhdojnë dhe të mirren profesionalisht me këtë instrument dhe pastaj të kemi kuadro për ansamblet e orkestrat e qyteteve të cilat duhet të formohen në tërë Kosovën”, ka theksuar Ferizi.
Arritjet profesionale janë synim i gjithsecilit person por jo të gjithë kanë fatin të kenë suksesin që dëshirojnë për shkak të arsyeve të ndryshme, ndërkaq Ferizi ka thënë që suksesin e sjell puna sistematike dhe investimi shumëvjeçar.
“Suksesi mund të arrihet me punë e disiplinë të rreptë dhe të vazhdueshme, të kesh qëndrueshmëri dhe vullnet e dëshirë të pashoq, që të shihet në fund rezultati e suksesi pas shumë viteve investim”, ka potencuar ai.
Ndërsa mbetet ndër fagotistët e parë në Kosovë, Ferizi ka dhënë edhe një mesazh për të rinjtë duke thënë që pavarësisht kohës dhe rrethanave asnjëherë mos ndaloni së besuari në vetvete.
“Mesazhi im është që kushdo që e ndjen që është për këtë profesion, të vazhdoj pavarësisht tregut apo konkurrencës sepse suksesi nuk do të mungoj asnjëherë për askënd, që ëndrrën e tij/saj e vazhdon deri në arritjen e përmbushjes së dëshirës për profesionin e jetës. Por pavarësisht kësaj me muzikë mund të merreni edhe në mënyrën amatore, pasiqë iu ndihmon edhe në profesionet tjera që i keni primare e profesionale, dhe iu jep një kulturë të gjerë duke iu përmbushur dhe kompletuar si një njeri të formuar në të gjitha aspektet”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, Ferizi është një nga tetë muzikantët të cilët luajnë në instrumentin e fagotit në Kosovën.