Komuna e Prishtinës do t’i mbështesë me 500 euro nënat lehona, të cilat janë përfituese të skemës sociale.
Kjo është bërë e ditur gjatë seancës së Kuvendit Komunal, të martën.
Sipas Premtim Fazliut, nga drejtoria për Mirëqenie Sociale, nga muaji janar deri në muajin prill kanë qenë 17 lindje të kësaj kategorie.
Në bazë të kalkulimeve të prezantuara, brenda një viti rreth 70 nëna lehona do të jenë përfituese të kësaj skeme, në kosto financiare i bie 35 mijë euro.
Ndërkaq, ndihma përfshin periudhën prej datës 1 janar të vitit 2022 dhe me mundësi që të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se një propozim tjetër i tyre është subvencionimi me 70 euro për familjet që marrin më pak se 500 euro për t’i dërguar fëmijët në çerdhe.
“Edhe një nga propozimet tona që ndërlidhet me këtë, është edhe subvencionimi i familjeve që marrin më pak se 500 euro, me nga 70 euro për t’ua mundësuar dërgimin e fëmijëve në çerdhe, dhe po ashtu gratë që të ndërlidhen me vende të punës, pra që të kenë kohë të lirë”, ka thënë ai.
Sot (e marte) po ashtu, është shfuqizuar pakoja emergjente “Prishtina 2”, e cila ishte miratuar si ndihmesë për bizneset gjatë kohës së pandemisë.
Valbona Makolli, drejtoreshë e Financave në Komunën e Prishtinës, ka bërë të ditur se nga 51 milionë euro të parapara për këtë pako, 210 mijë prej tyre kanë mbetur të pashfrytëzuara.
Në Prishtinë propozohet subvencionimi me 500 euro për lehonat në nevojë