Të premten e 27 tetorit, Kosovës iu bë thirrje për nisje të procedurave për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë që de facto ta njohë shtetësinë e Kosovës.
Kështu është thënë në një komunikatë të publikuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
“Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”, thuhet në letrën publike të lëshuar nga tre liderët evropianë.
Ata e kanë publikuar këtë komunikatë një ditë pas takimeve që kanë zhvilluar ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, në margjina të samitit të BE-së.
Në këto takime kanë marrë pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kryediplomati i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Në komunikatë, dy vendeve u është bërë thirrje për zbatim të Marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh, për të cilën palët kanë arritur pajtueshmëri në shkurt të këtij viti, por pa nënshkrime.
“Faza e zbatimit duhet të përparojë, ashtu që dy palët t’i kryejnë obligimet në mënyrë paralele, sipas parimit që palët duhet të bëjnë diçka, për të fituar diçka. Fokusi tani është te avancimi drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes, pa parakushte dhe vonesa”, thuhet në komunikatë.
Çfarë tha Kurti?
Ndryshe, të premten pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se ai ka pasur gatishmëri për nënshkrim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve si dhe draftin e prezantuar nga emisarët perëndimorë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, mirëpo Vuçiq nuk e ka pasur të njëjtin disponim.
“Draft statuti që kemi prezantuar dhe e përkrahim plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”.
Dy palëve u është rikujtuar fakti që dështimi për të arritur përparim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, bart rrezikun e humbjes së mundësive të rëndësishme.
Kurti ka thënë të premten, në një konferencë për media, se drafti që i kanë propozuar emisarët perëndimorë më 21 tetor në Prishtinë është shkruar me kujdes dhe në përputhje me kushtetutën e Kosovës.
“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.
I pyetur për hollësitë e planit të prezantuar nga emisarët perëndimorë më 21 tetor, Kurti ka thënë se dëshiron ta respektojë kërkesën që dokumenti të mos bëhet publik.
Çfarë tha Vuçiqi?
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq të premten ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka “tentuar t’u shesë një truk” liderëve evropianë në takimin e djeshëm në Bruksel, por që sipas tij, është një “truk jetëshkurtër”.
Vuçiq i ka cilësuar “mashtrime” ato që ka bërë Kurti në takimin me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, të shoqëruar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell e emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.
Sipas tij, Kurti prezantoi idenë për nënshkrimin e të tri dokumenteve, pasi e dinte se Serbia nuk mund të nënshkruante.
“Kurti bëri një truk të mirë, por afatshkurtër dje. Ai e ka paraqitur idenë, të nënshkruajmë të tre dokumentet. Bëhet fjalë për dy marrëveshjet, në Bruksel e Ohër. E propozoi sepse e dinte që Serbia nuk do ta pranonte. Ai nuk është gati të themelojë Asociacionin. Ai nuk do të përmbushë gjithçka, është e qartë se ishte një truk për të blerë kohë”, ka thënë Vuçiq në TV Pink.
Vuçiq ka thënë se kjo është hera e fundit që Kurti e bëri, sepse sipas tij, kjo nuk mund të kalojë më.
“Ai e provoi më parë, por dje ishte hera e fundit që e bëri, sepse nuk mendoj se mund të kalojë më”, ka vijuar ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.