Greva e cila ka filluar në arsim të enjten e 25 gushtit, ka shkaktuar reagime dhe pakënaqësi nga më të ndryshmet. Mësimdhënës, prindër, dhe shumë personalitete publike në vend kanë ndarë mendimin e tyre në lidhje me këtë çështje.
Disa e kanë përkrahur e disa jo, por mësimdhënësja në shkollën “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, Fatlume Limani-Shala, e ka përkrahur këtë grevë dhe e sheh si të arsyeshme.
Limani-Shala në një intervistë për portalin Dukagjini, ka treguar rreth qëndrimeve të saj në lidhje me grevën dhe jo vetëm.
“Jam pro grevës, arsyeja që më ka shtyrë të jem pro grevës është të jemi pro unanitetit, por ajo që më shtyn edhe më shumë të jem edhe më e dhënë për grevë është se që 20 vjet, çdo vit dhe çdo ditë ndoshta, autoriteti jonë po bie”.
“Unë jam një mësimdhënëse që gëzoj autoritetin tim para nxënësve të mi, por në masë jo, sepse në masë po njihemi si mësimdhënës nga të cilët po dalin gjenerata të dobëta, që PISA ka dështuar, dhe unë si Fatlume nuk e shoh që gjithë kjo situatë është shkaktuar nga mësimdhënësit, sepse mësimdhënësit janë ata të parafundit, dhe të fundit janë nxënësit që mund të cilësohen si fajtorë në lidhje më këtë çështje”, ka thënë Limani-Shala.
Dështimin e nxënësve në procese vlerësuese ajo e sheh të përbashkët, duke thënë se kjo është zinxhirore. Sipas saj, nëse mësimdhënësit dhe nxënësit kanë dështuar kjo barrë bie edhe mbi Ministrinë.
“Mësimdhënësi është punëtor i MASHT-it dhe në qoftë se ka dështuar mësimdhënësi, ka dështuar Ministria, ka dështuar DKA-ja sepse nëse ministria thotë ju duhet ta kryeni kurrikulën, ti detyrimisht duhet ta kryesh dhe pavarësisht të mirave apo të këqijave që ti i sheh gjatë asaj procedure, duhet t’i aplikosh sepse je punëtore e MASHT-it, je punëtore e DKA-s”.
“Ne asgjë nuk kryejmë pa marrë konfirmim nga personat kompetentë, nuk marrë asnjë lloje përgjegjësie apo pune pa pyetur drejtorin, DKA-n dhe MASHT-in dhe kjo punë shkon zinxhirore dhe në qoftë se MASHT na thotë neve duheni ta kryeni kurrikulën, ne e kemi kryer, me dëshirë dhe padëshirë, pavarësisht a del në pension edhe dy vjet ti duhet ta kryesh kurrikulën dhe mos të njihemi në masë, se mësimdhënësit janë ata dështakët, ose mësimdhënësit duhet të largohen nga shkollat, nuk janë, janë vetë qeveria, vetë shteti që e ka krijuar këtë situatë, duke përfshirë 20 vjet dhe jo vetëm kohën kur tash Kurti është në pushtet, por duke përfshirë të gjitha partitë që kanë pasur ndikim në MASHT, dhe pikërisht arsyeja pse sot nuk gëzoj autoritetin në masë është MASHT”, ka theksuar mësimdhënësja.
Ndërkaq sa i përket çështjes së kurrikulës, ajo ka thënë se në kohën kur do të bëhen ndryshime të mëdha në arsim njëherë duhet të pyetën edhe mësimdhënësit për shkak që rasti i kurrikulës ka sjellë paqartësi, sidomos te prindërit, të cilët edhe sot e kanë të vështirë që ta kuptojnë.
“Kur jemi te kurrikula, ne si mësimdhënës e kemi pasur shumë të vështirë ta kuptojmë qëllimin e kurrikulës dhe e kemi pasur shumë të vështirë ta aplikojmë atë sepse nuk i kemi pasur librat dhe asnjëherë MASHT-ti nuk ka ardhur të na pyesë, a jeni të vetëdijshëm për literaturat që i keni, a i përshtaten kësaj kurrikule që ne po kërkojmë si mënyrë për të ngritur cilësinë në mësimdhënie, por kjo nuk ka ndodhur”.
“Prindërit e kanë pasur të vështirë të kuptojnë kurrikulën, cila është mënyra e metodologjisë së pyetjeve në mënyrë që të kenë informacion se a do të ngritet cilësia apo do të bjerë dhe në rast kur në arsim do të bëhen ndryshime shumë të mëdha atëherë edhe prindërit duhet të trajnohen dhe të kuptojnë drejt se çfarë po ndodh me ndryshimet në arsim dhe sa janë të dobishme për nxënësit. Dhe unë e kisha bërë një apel si në qeveri si në MASHT si kudo qoftë, në momentin kur do të bëni një ndryshim të madh në arsim siç ishte kurrikula, të pyetën njëherë edhe mësimdhënësit se ne jemi ata që po ofendohemi, neve po na bie autoriteti”, është shprehur ajo.
Por kur flitet për autoritetin e mësimdhënësit që në masë po quhen edhe dështakë, Limani-Shala ka thënë që kjo është si pasojë e mënyrës sesi po punësohen mësimdhënësit.
“Secili mësimdhënës e gëzon autoritetin në shkollë, por në masë jo, dhe nëse themi pse si masë jo, dhe më dhemb shpirti pse si masë nuk e kemi këtë dhe shpesh mendojmë që kjo është shkak i nepotizmit dhe mënyra si po punësohen mësimdhënësit”.
“Sot kemi shumë mësimdhënës të cilët më të vërtetë në pamje, në komunikim në çkado që i shohim ne edhe vetë, nuk e meritojnë të kapin ditarin në dorë, dhe ndjej keqardhje kur shoh nxënës që ankohen për sjellet e tyre, por nuk po i përgjithësoj sepse ka mësimdhënës të ri të cilët kanë ardhur shumë të përgatitur, por më të vërtetë ata janë një numër shumë i vogël”, ka shtuar më tej.
Ndër të tjera, ajo ka potencuar se është e drejtë e saj të jetë pjesë e kësaj greve, dhe si arsye të domosdoshme e cilëson koeficientin.
“Unë e përfaqësoj vetëm vetveten si greviste sepse e di që kam të drejtë të plotë në këtë, duke u nisur nga koeficienti. E di që në masë nuk e dinë se çka është koeficienti dhe as pse mësimdhënësit janë duke punuar pak orë dhe po marrin shumë para, por kjo aspak nuk qëndron e vërtetë”.
“Ne thirremi se koeficientin e kemi 5.6 që i bie që një koeficient sillet rreth 120 euro dhe del që unë duhet ta marr pagën 672 euro e në realitet nuk e marr 672 por 450 euro, dhe atëherë ku mbetet qeveria që nuk reflekton karshi koeficientit dhe sektorit të arsimit dhe karshi nesh”, ka theksuar Limani-Shala.
Teksa ka treguar për pagën, ajo ka thënë se për 20 vjet që është në arsim ka kontribuuar në SBASHK, dhe raportimet që i janë kërkuar kësaj sindikate sa i përket të hyrave që t’i raportojë, Limani- Shala është deklaruar se është pro sepse është e drejtë e tyre ta dinë se çfarë ka ndodhur.
“Unë jam kontributdhënëse në sindikatën e arsimit tash e 20 vjet, dhe 0.05% të pagës që unë e kam SBASHK-u e ndal që i bie 2.31 centë, rroga ime është 450 euro dhe këtë shumë unë që 20 vjet që jam punëtore e arsimit, jap kontributin tim në arsim dhe SBASHK-u paguhet sipas rrogës që e ke”, ka shtuar ajo.
Por e pyetur se çfarë mendon për faktin që kohët e fundit është duke u aluduar se SBASHK-u mund të jetë i korruptuar dhe i kapur nga partitë politike opozitare, ajo ka thënë se shpreson që një gjë e tillë të mos jetë e vërtetë.
“Unë nuk do të kisha pasur dëshirë të dëgjojë që SBASHK-u është i kapur nga partitë politike, por ajo që mund të them është se në këto vitet e fundit unë nga SBASHK-u nuk kam përfituar asgjë”.
“Dhe nëse qeveria mendon që SBASHK-u është i kapur dhe që në 5 vjetët e fundit nuk ka raportuar për 3 milionë euro dhe në tri vjetët e fundit për 1 milion atëherë do të kisha bërë thirrje për qeverinë në krye me kryeministrin që të shkojnë dhe t’i bëjë një investigim SBASHK-ut dhe unë jam pro që SBASHK-u të raportojë për ato të holla”, ka thënë Limani-Shala.
Ndërkaq, SBASHK-u në fillim të muajit gusht kishte refuzuar vlerësimin e mësimdhënësve me testin, të cilin e kishte propozuar MASHTI, por kishin rënë dakord që vlerësimi i tyre të bëhet prej drejtorëve të shkollave.
Limani-Shala e pyetur se çfarë mendon sa i përket kësaj çështjeje, ajo ka thënë që është një veprim i duhur dhe i domosdoshëm.
“Sa i përket vlerësimit të mësimdhënësve unë jam pro vlerësimit, por sa ka njerëz profesionalë në MASHT që vijnë dhe mua më hospitojnë. Unë personalisht vlerësimin nuk e pranojë vetëm me një test formal, le të vijnë dhe të më hospitojnë se paku një javë si nga ana profesionale, pedagogjike dhe elemente të tjera sa i përket përgatitjes dhe personalitetit dhe qëndrimeve të mia”, ka shtuar ajo.
Mësimdhënësit janë ata të cilët po cilësohen si fajtorë për dështimet e nxënësve. Por sipas mësimdhënëses Limani-Shala, suksesi ose mossuksesi i nxënësve nuk varet vetëm nga mësindhënësit, por nga procesi zinxhiror.
“Kur flasim për cilësinë e nxënësit në mësim kjo pjesë po anashkalohet sepse kjo është zinxhirore dhe e ndërlidhur prind, nxënës, mësimdhënës, dhe me keqardhje duhet të them që është një numër i vogël i prindërve që punojn me fëmijët e tyre”, është shprehur mësimdhënësja.
Një problem i cili duhet të zgjidhet patjetër, sipas saj, ka të bëjë me mësimdhënësit, të cilët janë mbi 60 vjet, sepse problemet e ndryshme me shëndetin po i penalizojnë dhe po u bëjnë të pamundur mbajtjen e orëve dhe realizimin e punës së tyre.
“Jam e dakord që mësimdhënësit të dalin në pension me vetëm 60 vjet sepse kemi prej tyre të cilët janë të sëmurë dhe humbin shumë orë për shkak të gjendjes shëndetësore, teksa shteti nuk ka ofruar asgjë për këtë kategori të mësimdhënësve”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, sa i përket grevës të cilën e ka filluar SBASHK-u, ajo ka thënë se shpreson që sa më shpejt ky problem të zgjidhet dhe ta fillojnë mësimin.
“Këtë problem mund ta zgjedhin SBASHK-u dhe qeveria, qeveria le të reflektojë karshi koeficientit dhe shpresoj që tash e tutje nuk do të ndodhin këto gjëra që kanë ndodhur deri sot, duke filluar nga fakti që ne gjithmonë bëjmë se çka MASHT-i na servon”.
Limani-Shala ka edhe një kërkesë drejtuar masës, duke thënë që arsimi është i shenjtë, mos luani me arsim, mos luani me autoritetin e mësimdhënësit, nuk janë të gjithë mësimdhënësit që nuk po bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet.
Si dhe këtë profesion ajo e cilëson si një ndër profesionet më konsumuese.