Ka katër muaj që ka nisur të zbatohet në pesë shkolla të kryeqytetit por jo të gjitha shkollat janë të përshtatshme për mësimin tërëditor.
“Shkolla e gjelbër” është njëra ndër implementueset e saj të para por për të qenë e tillë, i janë dashur disa ndryshime.
Njëra ndër to, edhe ndarja e nxënësve.
“Ka pasur ndryshime shkaku i numrit të madh të nxënësve, jemi detyruar t’i zhvendosim ciklin 6-9 në “Eqrem Çabej” dhe e kemi lënë këtu për 1-5. Tjera ka qenë kuzhina, është dashur të ndërtohet prej fillimit, digjitalizimi i objektit, dhoma e objekteve, banka të reja, dollapë”, ka thënë drejtori i ShFMU “Shkolla e Gjelbër”, Besart Ismajli.
Ndonëse me shkollën ku janë bartur nxënësit gjenden në një oborr, në shkollat tjera largësia e zhvendosjes ka qenë më e madhe.
Me rilokimin e nxënësve nga shkolla “Qamil Batalli”, një klasë e ka pranuar edhe shkolla “Emin Duraku”, 200 metra larg.
E përparësi në implementim sipas njohësve të arsimit mbetet krijimi i shkollave të reja por megjithkëtë dhe kushtet shtesë, do të duhen dekada investimesh.
“Në gjykimin tonë nuk e shohim si reformë të zbatueshme së paku për 10 vitet e ardhshme, duke e ditur karakterin demografik të shpërndarjes së nxënësve në komuna të ndryshme dhe investimet e jashtëzakonshme qoftë si kapitalet e infrastrukturoret por mbi të gjitha, edhe përgatitjet në resurse njerëzore e implikimet financiare që ka”, ka thënë njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.
Televizioni ka pyetur Ministrinë e Arsimit nëse e ka në plan afatmesëm e të largët që të zbatojë mësimin tërëditor në gjithë Kosovën, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.