Mesiq për agresionin në Banjskë: Ishte përgatitur për të nxitur luftë

Ai kritikon Bashkimin Evropian për qasjen dhe qëndrimet pas 24 shtatorit. Njeriu që udhëhoqi Kroacinë për një dekadë si president vlerëson pozitivisht veprimet e ndërmarra nga institucionet kosovare, meqë konsideron se kjo situatë do të prodhonte edhe më shumë viktima.

Stipe Mesiq, ish-president i Kroacisë

Ish-presidenti kroat, Stipe Mesiq deklaron se agresioni serb në Banjskë të Zveçanit ishte përgatitur dhe pjesë e saj ishin edhe disa institucione serbe.

Nga këto të fundit, ai shton se grupi terrorist u pajis për provokim e luftë.

Në intervistën për KosovaPress, ai kritikon Bashkimin Evropian për qasjen dhe qëndrimet pas 24 shtatorit. Njeriu që udhëhoqi Kroacinë për një dekadë si president vlerëson pozitivisht veprimet e ndërmarra nga institucionet kosovare, meqë konsideron se kjo situatë do të prodhonte edhe më shumë viktima.

Ish-presidenti i Kroacisë thotë se Kosova është shtet dhe këtë fakt duhet ta kuptojnë të gjithë.

“Mendoj se gjithë bota duhet ta kuptojnë se Kosova është fakt, se Kosova është shtet dhe se të gjitha shtetet kanë të njëjtat të drejta dhe të njëjtat marrëdhënie me Kosovën, ndaj duhet njohur një fakt, atë që në Serbi ende nuk e njohin Kosovën, ky është një problem që ia ka vënë vetes udhëheqja e Serbisë. Prandaj, Serbia nuk ka pse ta njohë Kosovën, e gjithë bota do ta njohë Kosovën, por Serbia nuk ka nevojë, por duhet të lejojë lëvizjen e njerëzve, lëvizjen e kapitalit, lëvizjen e ideve, kështu që duhet të lejojë komunikimin me botën”, deklaron ai.

Pas agresionit serb në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, Mesiq konsideron se Kosova duhet të vazhdojë dialogun.

“Po, sigurisht, Kosova gjithmonë ka treguar interes që çdo gjë të zgjidhet në mënyrë paqësore, në mënyrë diplomatike dhe në këtë kuptim, mendoj se Kosova do të vazhdojë të ketë të njëjtat pikëpamje, kështu që Qeveria e Kosovës, ata që udhëheqin në Kosovë, ata udhëheqin një politikë evropiane dhe në këtë kuptim duhet edhe në Serbi t’i kuptojnë faktet dhe të vendosin sipas atyre fakteve”, shton ai.

Politikani kroat tregon se javën e shkuar në Zagreb është takuar me kryetaren e shtetit, Vjosa Osmani, ku thekson se e njëjta ka qasje realiste ndaj politikës evropiane.

Të njëjtat vlerësime nuk ka edhe për vendet e bllokut, ku thekson se lidershipi i Bashkimit Evropian po gabon.

“Unë besoj se nuk e udhëheq politikën evropiane, Bashkimi Evropian nuk e udhëheq sa duhet politikën evropiane. Ajo i kushton më shumë rëndësi asaj se çfarë do të thotë Amerika dhe jo asaj që është në interes të Evropës dhe në këtë kuptim mendoj se lidershipi i Bashkimit Evropian është duke gabuar sepse Evropa duhet të udhëheqë politikën, politikën evropiane, Bashkimi Evropian duhet të udhëheqë politikën evropiane”, deklaron Mesiq.

Në intervistën për KosovaPress, Mesiq komenton agresionin e grupit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, ku thotë se ishte përgatitur dhe kanë gisht edhe disa institucione.

“Pra, kur një ditë të analizohet, dhe ka arsye për të folur për të, nuk ishte ekses, kjo ishte përgatitur dhe në këtë kanë marrë pjesë disa institucione, të cilat mund të sjellin njerëz të armatosur me pajisje, domethënë pajisje për luftë, bomba, me mitraloza të rëndë, automjete të blinduara, kështu që gjithçka ishte përgatitur për një provokim të madh për të ngritur njerëzit nga rrethina, që ata të reagojnë dhe pastaj Serbia të shfaqet si ajo që do të zgjidhë gjërat, dhe në fakt është politika serbe e cila dëshiron të integrojë një pjesë të Kosovës në territorin e saj”, shton Mesiq.

Pas agresionit të 24 shtatorit në veri të vendit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ish-presidenti kroat komenton pozitivisht veprimet e ndërmarra nga institucionet e Kosovës.

“Në këtë mund të thuhet situatë të vështirë, në një provokim të vështirë, si qeveria ashtu edhe presidentja i saj kanë marrë të gjitha masat e nevojshme. Në veprimet e tyre, institucionet e Kosovës vepruan sipas standardeve evropiane dhe i përgëzoj që nuk lejuan që kjo sfidë të shkaktojë viktima më të mëdha… Serbia ka marrë shumë masa që bota mund t’i kritikojë, përkatësisht në Serbi nderohen ata terroristë që sulmuan institucionet e Kosovës, të cilët sulmuan Kosovën. Pra, ata vdiqën në një sulm terrorist dhe Serbia i nderon si viktima të politikës shqiptare, kështu që ata bënë gjithçka për të bërë gjënë e gabuar”, përfundon Mesiq.

Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore./KSP

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika