Mësuesja Elena Stublla, ka qenë e vetmja në shkollën fillore “Dardania”, në Prishtinë, e cila më një shtator nuk ka qenë pjesë e grevës së organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Stublla, e cila të enjten ka mbajtur mësim me nxënësit e klasës së parë, ka thënë se nuk beson në sinqeritetin e SBAShK-ut, duke i quajtur ata “njerëz të korruptuar”.
Sipas saj, fëmijët po përdoren për kërkesa personale të krerëve të SBAShK-ut.
“Nuk besoj në sinqeritetin dhe në kërkesat e SBAShK-ut, nuk mund të jem pjesë e një turme ku prijnë njerëz të korruptuar. Nuk mund të jetë një kërkesë e sinqertë t’i përdorësh fëmijët për kërkesa personale”, ka deklaruar ajo në emisionin “Five”.
Stublla ka bërë të ditur se nuk ka pasur presion as nga kolegët e saj e as nga sindikata e arsimit, për t’u bërë pjesë e grevës.
“Kemi pasur konsultime midis kolegëve që nuk bën të ndahesh nga turma, kanë thënë që nuk e përkrahin grevën, por nuk dëshirojnë të veçohen, kërkesa për mos ta mbajtur mësimin nuk kam pasur”, ka thënë ajo.
Më tej, ajo ka theksuar se do të vazhdojë ta mbajë mësimin edhe në ditët në vijim, sipas planprogramit të shkollës ku ajo punon.
“E kam klasën time, e kam planin në nivel shkolle, atë e zbatoj, mund të mungoj bashkëpunimi me kolegët, sepse ata janë mbrapa për një ditë, por do të vazhdojë”, ka deklaruar ajo.
Mësuesja klasore e ka konfirmuar që nuk i ka dalë paga as të enjten, kjo pas pezullimit të pagave nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili është arsyetuar duke thënë që organizatat buxhetore nuk i kanë dorëzuar me kohë listat e punëtorëve që janë pjesë e listës së pagave.