Mësuesja Xhevahire Krasniqi, flet për rolin e rëndësishëm të mësimdhënësit

Mësuesja Xhevahire Krasniqi, e ftuar në emisionin "Radar" me Edita Dolin në Radio Dukagjini ka thënë se profesioni i mësuesit ka edhe sfida të mëdha, por për të është shumë e rëndësishme kur sheh se gjeneratat që i ka edukuar, kanë vazhduar të plotësohen dhe të jenë të sukseshëm në profesionet e tyre

Mësuesja Xhevahire Krasniqi, e ftuar në emisionin "Radar" me Edita Dolin në Radio Dukagjini





Në Ditën Botërore të Mësuesit në sudion e Radio Dukagjinit, e ftuar në emisionin “Radar” me Edita Doli, ishte mësuesja Xhevahire Krasniqi, e cila foli për rolin e mësimdhënësit në ndërtimin e shoqërisë.

Se puna e mësuesve është njëra nga më të rëndësishmet për zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë, e thotë edhe Xhevahire Krasniqi, mësuese në shkollën “Meto Bajraktari” në Prishtinë.

Në një bisedë të realizuar në emisionin “Radar” me Edita Doli, në Radio Dukagjini, ajo ka folur edhe për sfidat që i ka ky profesion dhe trajtimin që e marrin.

“Sigurisht se profesioni i mësuesit ka edhe sfida të mëdha, por për neve është shumë e rëndësishme kur shohim se gjeneratat që ne i kemi edukuar, kanë vazhduar të plotësohen dhe të jenë të sukseshëm në profesionet e tyre. Dhe sigurisht që edhe për ne është shumë i rëndësishëm trajtimi i dinjitetshëm”, tha mësuesja Krasniqi.

Mësuesja Xhevahire, ka folur edhe për një sfidë tjetër që e ka përballur jeta, ajo e sëmundjes së kancerit, por që sot fatmirësisht është shëruar dhe është mirë me shëndet.

“Fiziku im kishte ndryshuar shumë, e kisha të vështirë tu dal përpara fëmijëve sepse kisha frikë se si do t’më presin. Por, aq të mirë janë treguar ata fëmijë, sa unë edhe sot i ruaj disa letra motivuese që nxënësit i shkruanin për mua gjatë asaj periudhe”, shtoi Xhevahire Krasniqi.

Mësuesja Xhevahire Krasniqi, tha se mësimdhënësit nuk duhet të nderohen, mbështeten e inkurajohen vetëm në një datë të caktuar, por kjo të tregohet çdo ditë pasi do të jetë motivim për të pregaditur gjenerata të reja të suksesshme për të rritur cilësinë në arsim.

Ndryshe, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, në vitin 1994, ka përcaktuar 5 tetorin si Ditën Botërore të Mësuesit, për të kujtuar nënshkrimin e Rekomandimit, në lidhje me Statusin e Mësuesve, miratuar nga ana e ILO/UNESCO, në Paris, më 5 tetor 1966. Po në këtë vit, sipas idesë dhe sugjerimit të UNESCO-së, pedagogu zviceran Robert Dottrens (1893 – 1984) hartoi edhe betimin solemn të mësuesit mbi bazën e betimit të Hipokratit.