Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke thënë se “tensionimi i situatës në komunat veriore të Kosovës dhe dirigjimi i këtij tensionimi nga struktura kriminale, që komandohen nga Beogradi, është një lojë tepër e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”.
“Kjo situatë përkon me tendencën e vazhdueshme të Rusisë së Putinit për të përshkallëzuar luftën agresive në Ukrainë dhe tërheqjen e vëmendjes së opinionit botëror me krijimin e tensioneve dhe vatrave të reja të krizës në vende të ndryshme të botës”, ka shkruar Meta.
Ish-presidenti i Shqipërisë ka theksuar se mbështesin çdo veprim të institucioneve shtetërore të Kosovës, për të mbrojtur rendin demokratik e kushtetues të vendit dhe bëjnë thirrje për ulje të tensioneve.
“Qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të së drejtës legjitime të shtetit të Kosovës për të zbatuar rendin dhe ligjin në tërë territorin e Republikës”, ka shtuar Meta.
Meta ka bërë thirrje që drejtuesit shtetërorë dhe institucionalë të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA, BE dhe NATO, të gjejnë zgjidhjen e duhur për problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke zbatuar marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.