Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka shprehur mbështetjen e tij për të gjitha përpjekjet e Bashkimit Evropian (BE) në bashkëpunim me NATO-n në lidhje me situatën në Kosovë.
Ai ka thënë se mbështet idenë që të organizohet një konferencë me disa prej vendeve anëtare të BE-së në koordinim të ngushtë me ShBA-në dhe të bëhen hapa të qartë në drejtim të normalizimit të situatës Kosovë – Serbi.
Michel i bëri komentet në prag të një samiti të BE-së, që zhvillon punimet sot dhe nesër në Bruksel.
“Dua të jem i qartë: ne mbështesim të gjitha përpjekjet e përfaqësuesit të lartë Borrell, të bëra në bashkëpunim me NATO-n. Dua të them se mbështesim idenë, që sa më parë të organizojmë një konferencë me disa prej vendeve anëtare të BE-së që janë mjaft aktive, në mënyrë që të mbështesim përpjekjet për ndërmjetësim, në koordinim të ngushtë me SHBA-në. Pasi e ndiejmë se së fundmi, kemi parë disa vështirësi që po bëhen arsye për eskalim. Dhe mendoj që ka ardhur koha të kemi një qasje globale, ka ardhur koha të bëjmë hapa të qartë në drejtim të normalizimit”, ka thënë Michel.
Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Atë ditë, Rama bisedoi në Bruksel më zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë Michelin.
Ndryshe, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor.