Zjarrfikësit po vazhdojnë të punojnë që të mbajnë të hapur rrugën e vetme që mundëson daljen nga kryeqyteti i Territoreve Veriperëndimore të Kanadasë. Zjarret janë përhapur shumë pranë qytetit ku jetojnë 20 mijë banorë, të cilët po vazhdojnë evakuimet.
Avionët për fikjen e zjarrit kanë punuar vazhdimisht që autostrada në Jellounajf të mbetet e hapur, përderisa banorët po evakuohen.
Autoritetet po përdorin topa uji dhe mjete të tjera për të parandaluar që zjarret të kaplojnë qytetin. Zjarret e egra janë përhapur 15 kilometra afër qytetit.
Erërat që fryjnë nga veriperëndimi, së bashku me reshjet e pakta të shiut, kanë ndërlikuar përpjekjet për fikjen e zjarrit. Zyrtarët e emergjencave thanë se gjatë fundjavës zjarret mund të arrijnë deri në qytet.
“Jemi përballë disa ditëve kritike”, ka thënë Shane Thompson, ministër qeveritar për Territoret Veriperëndimore.
Qindra kilometra në jug të Jellounajfit, shtëpitë janë djegur si pasojë e zjarreve. Banorët veçse janë urdhëruar që të largohen nga shtëpitë e tyre pasi zjarret janë përhapur edhe më shumë.
Shërbimet e emergjencave thanë se një vatër e zjarrit është përhapur në 68 kilometra katrorë.
Mijëra persona veçse janë larguar nga shtëpitë pasi që në Territoret Veriperëndimore janë afër 100 zjarre.
Këto janë zjarret më të këqija që kanë shpërthyer në historinë e Kanadasë.
Ky shtet është përballur me numër rekord të zjarreve gjatë këtij viti, që kanë djegur mbi 137 mijë kilometra katrorë në mbarë vendin, ka thënë Qendra kanadeze për Zjarret Pyjore.
Deri të premten në mëngjes, mbi 1.000 zjarre të egra ishin aktive në mbarë vendin dhe mbi gjysma e tyre vlerësohet se janë jashtë kontrollit. /REL