Miodrag Miliçeviq, drejtor i organizatës joqeveritare “Aktiv”, e ka komentuar rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila ka hyra në fuqi që nga 1 shkurti (sot).
Përmes kësaj rregullore, pamundësohet përdorimi i dinarit serb.
Miliçeviq e sheh si të rëndësishme që jetësimit të vendimit t’i paraprijë një proces i konsultimit me qytetarët serbë.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të dalë me informacione të qarta se çka nënkupton kjo rregullore për qytetarët, bizneset dhe institucionet financiare.
“Tani është shumë me rëndësi që Qeveria e Kosovës të dalë me informacione të qarta se çka saktë kjo nënkupton për qytetarët, çka për bizneset dhe çka për institucionet buxhetore. Po ashtu, duhet precizuar sa zgjat saktë ky afat kalimtar dhe në fund si do të funksionojnë qytetarët që nuk kanë llogari në ndonjërën nga bankat dhe nuk kanë mundësi tjetër përveç se të ardhurat e tyre, si deri më tash, t’i pranojnë përmes postës në Mitrovicën e Veriut, apo përmes kursimores postare. Këto janë çështje thelbësore, të gjitha të tjerat që kanë të bëjnë me politikë, duhet lënë anash dhe duhet fokusi të jetë tek qytetarët nga komuniteti serb”, ka thënë Mileçeviq, në emisionin “Magazina” të Radio Dukagjinit.
Për këtë temë ka diskutuar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, i cili vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për hyrjen në fuqi të rregullores së re që pamundëson përdorimin e dinarit serb e ka quajtur të drejtë dhe të mirëseardhur.
Në një lidhje direkte në emisionin “Magazina” në Radio Dukagjini, Rafuna ka thënë se nuk ka pasur ndonjë koordinim të mirëfilltë sa i përket asaj se kur duhet të hyjë në fuqi rregullorja e BQK-së.
“Vendimi i BQK-së është i drejtë, çdo vendim që sillet për me vendos ligjshmërinë është i mirëseardhur, ajo çka po mendoj që i mungon është një fushatë koordinimi me miqtë tanë që ta krijojmë këtë sistem financiar, nuk ka pasur ndonjë koordinim sa i përket se kur duhet të hyjë në fuqi rregullorja, nganjëherë vendimi mund të jetë shumë i mirë kur gjen kohën për t’u implementuar”, ka thënë Rafuna.
Ndryshe, sot në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb. Ky vendim ka rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores për operacione me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar.
Komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, duke argumentuar se ai “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.
Bashkimi Evropian më 1 shkurt shprehu shqetësim për pasojat eventuale që mund të ketë ky vendim në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.
Qeveria e Kosovës tha se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do t’i ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.
Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.
Më 31 janar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se do të nisë një fushatë për informimin e qytetarëve për këtë rregullore, duke shtuar se shpreson që do të ketë bisedime mes bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se të gjitha bankat komerciale në shtet janë udhëzuar që të hapin degë në veri, teksa BQK-ja i ka obliguar ato që të ofrojnë xhirollogari bazike, pa kosto për poseduesit e tyre.