Përpjekja dëshpëruese e Mimoza Kusari-Lilës për të arsyetuar bisedën telefonike me Milan Radoiçiqin shpërfaq dimensione të tjera të pushtetit, të cilit ajo i takon. Në vend që të jep sqarime pse është dashur të flasë me Radoiçiqin – në atë kohë i akuzuar, i arratisur dhe pjesë e “listës së zezë” amerikane – ajo vazhdimisht ka sulmuar mediat, duke i fajësuar pse kanë publikuar incizimin e bisedës.
Kosova shtë një vend demokratik dhe nuk ka asgjë të keqe që shefat e grupeve parlamentare në Kuvend të diskutojnë e të arrijnë ujdi ndërmjet vete për çështje që kanë të bëjnë me ligjet ose në përgjithësi jetën parlamentare. Kështu, nuk do të kishte asgjë të keqe që Kusari-Lila të diskutonte me shefin e grupit parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq – edhe pse në kontekstin kur dhe si ka ndodhur, edhe kjo është problematike.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht e ka pasur shënjestër të sulmeve Listën Serbe dhe të gjthë ata që kanë bashkëpunuar me këtë subjekt politik. Për më tepër, propagandonte me të madhe se po qeveris pa këtë subjekt politik dhe nuk i duhej ndihma e tyre, si “regjimeve të kaluara”. Por, tash po dëshmohet se pushteti ka bashkëpunuar suksesshëm me Listën Serbe dhe ka kërkuar ndihmën e deputetëve të kësaj partie për të çuar përpara çështje në Kuvend. Bisedat e publikuara e zhveshin Lëvizjen Vetëvendosje nga miti se nuk bashkëpunon me këtë “organizatë kriminale”, siç e quante dhe e quan partinë më të madhe të serbëve në Kosovë. E lënë “cullak” në pretendimet e veta se partitë tjera, pushtetet e shkuara kanë bashkëpunuar me Radoiçiqin, e këta jo.
* * *
Është e vërtetë. Qeveritë e kaluara kanë bashkëpunuar e bashkëqeverisur me Listën Serbe dhe Milan Radoiçiqin, është e vërtetë që Radoiçiq është pritur në zyrën e kryeministrit të Kosovës dhe deputetët e kësaj partie, po ashtu, janë pritur me orë të tëra që të vijnë nga Beogradi për ta votuar koalicionin qverisës.
Por, po ashtu, e vërtetë është edhe se Lëvizja Vetëvendosje i ka gozhduar të gjithë për takimet dhe bashkëpunimet me Listën Serbe dhe Radoiçiqin. Vetëvendosja ka ardhur në pushtet me premtimin se nuk do të veprojë si qeveritë e shkuara, veçmas në raport me Listën Serbe. Por, tash po dëshmohet e kundërta.
Vetëvendosja, ndonëse jo haptas, ka bashkëpunuar fshehtas me këtë subjekt politik dhe Kusari-Lila ka qenë ndërmjetësja për të çuar përpara çështje të caktuara në Kuvend. Ajo nuk i ka bërë këto veprime “krye n’veti” e as privatisht, por nga pozita zyrtare si shefe e deputetëve të partisë në pushtet. Ajo ka vepruar ashtu siç i kanë thënë. Kusari-Lila nuk ka kurrfarë fuqie partiake as politike që të ndërmarrë diçka e vetme, pa koordinim ose pa urdhra nga Vetëvendosja.
* * *
Ndër arsyetimet më banale që kam dëgjuar këto ditë është se Kusari-Lila po sulmohet sepse është target më i lehtë, sepse është grua. Ky arsyetim nuk qëndron, mjafton ta kthejmë në kujtesë aferën “Pronto” dhe Adem Grabovcin.
Kusari-Lila nuk po sulmohet, por nga ajo po kërkohet përgjegjësi për veprimet që ka bërë. Ajo është fytyra e Lëvizjes Vetëvendosje në raport me Listën Serbe, ajo është dëshmia më e mirë e manipulimit të qytetarëve nga Vetëvendosja në lidhje me Listën Serbe. Refuzimi i saj për të treguar të vërtetën dhe mbrojtja që i bëhet nga partia në pushtet është dëshmi që Kusari-Lila asnjë veprim nuk e ka bërë pa mbështetjen e Vetëvendosjes, pa koordinimin me Vetëvendosjen, pa urdhrin e Vetëvendosjes.
Përpjekjet për ta hedhur fajin te mediat që i kanë publikuar bisedat e gazetarët kritikë që kërkojnë përgjegjësi nga Kusari-Lla dhe që shpërfaqin dyfytyrësinë e Vetëvendosjes, janë përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën. Fare nuk është me rëndësi burimi i incizimeve – me rëndësi është ajo çfarë thuhet në to. I rëndësishëm nuk është lajmëtari, por lajmi. Dhe lajmi është se Lëvizja Vetëvendosje ka bashkëpunuar fshehtë me Listën Serbe, përderisa ka propaganduar krejt diçka tjetër. Përderisa ka mashtruar qytetarët