Minatorët e Minierës së Trepçës kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka shpërndarë informacione të pavërteta dhe propaganduese, kur ka thënë se paga mesatare e minatorëve është 1254 euro.
Në një reagim të publikuar të premten në mbrëmje, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka thënë se paga mesatare është 700-750 euro.
“Me datën 27.10.2023, Ministria e Ekonomisë së Republikës së Kosovës ka bërë publikimin e një lajmi kinse paga e minatorëve në minierën Trepça ka vlerën prej 1254 eurosh. Lajm i cili është shpërndarë në rrjete sociale dhe mediat elektronike”, thuhet në komunikatë.
Tutje, në reagim thuhet se “me anë të këtij postimi e demantojmë fuqishëm një informacion të tillë të pavërtetë dhe propagandues. Publikimi i një lajmi të tillë qëllimin e vetëm e ka dezinformimin e opinionit publik dhe krijimin e një klime negative lidhur me grevën të cilën jemi duke e mbajtur si minatorë. Si formë e përshtatshme për ta humbur ndikimin dhe rëndësinë e grevës në opinionin publik”.
Ata kanë demantuar Qeverinë e Kosovës duke thënë se paga mesatare në minierën e Trepçës është rreth 750 euro dhe se minatorët që kanë hyrë në ditën e katërt të grevës kanë përsëritur kërkesat e tyre, duke thënë se nuk janë duke mbajtur grevën për shkak të ngritjes së pagave.
“Kërkesat tona të parashtruara në mënyrë publike, tanime e disa muaj janë të qarta dhe konkrete. Përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, pagesa e pagave aktuale me kohë dhe shkarkimi i një menaxhmenti, i cili cdo dite e më shumë është duke e shkatërruar minierën e Trepçës. Këto kanë qenë dhe mbeten kërkesat tona dhe se minatorët nuk do të dorëzohen deri në realizimin e kërkesave të tyre”, thuhet në reagim.