Një minierë kromi e cila gjendet në fshatin Zatriq të Rahovecit dhe e cila nuk ka funksionuar që nga vitet e 80-ta, me iniciativë të banorëve të këtij fshati është hapur sërish.
Ndonëse jofunksionale, banorët thonë se janë përkujdesur që të paktën të mos e lënë të shembet e tëra.
Pasuria që mban brenda ky tunel është jashtëzakonisht e madhe.
Kjo pasi deri në vitet 80-ta, nga kjo minierë e cila gjendet në fshatin Zatriq të Rahovecit nxirrej kromi.
E pas këtyre viteve, për arsye që nuk dihen miniera u mbyll.
Por vetëm para një viti, ndonëse nuk e futi në funksion, Ruzhdi Kastrati nga ky fshat u përkujdes për rihapjen e kësaj miniere.
“Kjo është shpella e kromit në fshatin Zatriq që është punuar prej 68-tës deri dikun 81-tën, por flitet që edhe para 68-tës është punu këtu, e kanë nxjerrë kromin. Kjo ka qenë e mshelne, deri para dy vitesh ka qenë e mbyllne, edhe para një viti e kam marrë eskavatorin e kam shplu, jam hi mrena e kam pa çka është bo këtu, çka është punu”, ka thënë Ruzhdi Kastrati, banor.
E derisa me Ruzhdiun vazhdojmë deri në 100 metra brenda minierës, ai na tregon se ky tunel ndahet në tre drejtime të ndryshme.
“Këtu jemi dikun në metrin e 100-të, këtu ndahet në tre pjesë, në anën e djathtë, të majtë dhe drejtë, ku e kanë bo gërmimin për gjetjen e rudës (kromit)… Në anën e djathtë dhe anën e majtë janë dy bunare me ujë”, thekson ai.
E gjurmët e hekurudhave të vagonëve që kanë rrahur këtë minierë ekzistojnë ende.
E për këtë, Kastrati thotë se “këto vijat që po shihen këtu janë konë shinrat e vagonëve që e kanë nxjerrë rudën (kromin) po janë shkatërru gjatë kohës”.
Derisa mbërrijmë në njërën pjesë të tunelit, koha tashmë e ka bërë të vetën, kjo pasi shtegu që të dërgonte për në thellësi të minierës tashmë ishte shembur.
Por haset në njërin nga puset nga të cilat nxirrej ujë.
Brenda minierës nuk mundi të vinte Muharrem Kastrati.
Por nga jashtë ai tregon për njerëzit që punonin aty shumë prej të cilëve ishin edhe familjarë të tij.
“Ka pasur puntorë të fshatit tonë, rreth 20 por ka pasur edhe puntorë të Devës së Gjakovës. Pasi është mbyll këtu kanë shkuar në Devë kanë punuar edhe disa vite”, ka thënë Muharrem Kastrati, banor.
Këta banorë të cilët janë përkujdesur për rihapjen e kësaj miniere thonë se kjo është një pasuri e madhe, për të cilën do të vazhdojnë të përkujdesen që të mos shembet dhe zhduket.