Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas një postimi të ministrit aktual të Financave, Hekuran Murati, i cili ka paralajmëruar që në vitin 2024 do të ketë “boom” në trendin e investimeve kapitale.
Megjithatë, Bajrami e ka quajtur propagandë atë që ka shkruar Murati, derisa ka shtuar se në Qeveri matet puna, jo fjalët.
“Prapë me shifra të pasakta. Edhe një herë sipas ministrisë që ti drejton – ministrisë së financave, investimet kapitale të nivelit qendror në vitin 2023 janë të njëjta me vitin 2017 – 349 milionë euro, vetëm se në vitin 2017 buxheti i Kosovës ka qenë 1.8 miliardë euro e në vitin 2023 buxheti ishte 2.923 miliardë euro dhe inflacioni në 3 vite të qeverisë tuaj është 23%. Mjaftë me propagandë se s’po të shitet. Në qeveri të matët puna, jo fjalët”, ka shkruar Bajrami.
Po ashtu, ish-ministrja ka potencuar se Murati po krenohet me investimet kapitale të komunave, të cilat sipas saj, në vitin 2023 janë 205 milionë dhe nga 2017 janë dyfishuar.
“Por ju për komuna asnjë meritë nuk e keni, se veç pengesa ju ke bë si me bllokim të mjeteve vetanake si me tatim në pronë”, thuhet në përfundim të postimit.