Një varg ministrash të kabinetitqeveritar dhe guvernatori i Bankës Qendrore kanë dhënë dorëheqje në Shri Lanka, pasi protestuesit në kryeqytet kundërshtuan urdhrat e shtetrrethimit mes krizës më të keqe ekonomike të vendit në dekadat e fundit.
Ministri i Drejtësisë dhe ai i Rinisë dhe Sporteve, i cili është edhe nipi i Presidentit, janë ndër ata që ose kanë dhënë dorëheqjen ose kanë sinjalizuar synimin për ta bërë një gjë të tillë, përcjell CNN.
Lëvizjet pasojnë pas disa javë trazirash në të cilat një krizë e këmbimit valutor në vendin ishullor ka detyruar një zhvlerësim të monedhës dhe ka rritur koston e mallrave bazë si ushqimit, ilaçeve dhe karburanteve.
Radhët e gjata në supermarkete, pika karburanti dhe farmaci, kanë vënë në provë durimin e publikut, ashtu si edhe ndërprerjet me orë të tëra të energjisë elektrike.
Zemërimi i publikut shpërtheu në protesta të dhunshme në Colombo një javë më parë, kur demonstruesit hodhën tulla dhe ndezën zjarr jashtë rezidencës së Presidentit Gotabaya Rajapaksa.
Si përgjigje, qeveria të premten kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke vendosur një shtetrrethim në disa pjesë të qytetit si dhe duke bllokuar platformat e mediave sociale në tërë vendin.
Protestat kishin vazhduar të dielën, në kundërshtim me shtetrrethimin. Ato kishin vazhduar edhe të hënën, duke publikuar video nëpër rrjetet sociale që tregonin turma të mëdha në kryeqytetin e Shri Lankës.
Të hënën, guvernatori i Bankës Qendrore, Ajith Nivard Cabraal, u bë figura kryesore pasi që dorëzoi dorëheqjen e tij.
In the context of all Cabinet Ministers resigning, I have today submitted my resignation as Governor, @CBSL to HE President Gotabaya Rajapaksa. @GotabayaR #SriLanka #GoSL
— Ajith Nivard Cabraal (@an_cabraal) April 4, 2022
Ndërsa të dielën në mbrëmje ministri i Rinisë dhe Sporteve, Namal Rajapaksa, përmes rrjetit social Twitter njoftoi se kishte informuar zyrën presidenciale për dorëheqjen e tij “me efekt të menjëhershëm”.
Rajapaksa ka thënë se një akt i tillë do ta ndihmonte administratën “të vendoste stabilitet” dhe se ai mbeti “i përkushtuar ndaj votuesve” dhe partisë së tij dhe “popullit të Hambantotës”, ku ai është ligjvënës.
Tutje ai kritikoi një ndërprerje të dukshme të mediave sociale, duke thënë se ai “nuk do ta falte kurrë” një veprim të tillë dhe duke u kërkuar autoriteteve që të “rishqyrtojnë”.
I have informed the sec. to the President of my resignation from all portfolios with immediate effect, in hope that it may assist HE & PMs decision to establish stability for the people & the govt of #LKA. I remain committed to my voters, my party & the people of #Hambanthota.
— Namal Rajapaksa (@RajapaksaNamal) April 3, 2022
Ministri i Arsimit, Dinesh Gunawardena ka deklaruar për mediat lokale të dielën vonë se ai dhe ministra të tjerë “i kishin dorëzuar letrat tona të dorëheqjes kryeministrit”.
“Presidenti dhe kryeministri do të diskutojnë dhe do të marrin vendimet përkatëse”, kishte thënë ai pa sqaruar se sa ministra kishin ofruar dorëheqjen, përcjell CNN.
Ministri i Drejtësisë ka dhënë gjithashtu dorëheqjen, me disa ministra të tjerë të kabinetit që sinjalizuan synimin e tyre për të ndjekur shembullin.
Presidenti përgjigjet
Të hënën Presidenti Rajapaksa nuk i është drejtuar drejtpërdrejt dorëheqjeve të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë shtetëror, por ai i ka bërë thirrje të gjitha partive që “të punojnë së bashku për hir të të gjithë qytetarëve dhe brezave të ardhshëm”.
“Kriza aktuale është rezultat i disa faktorëve ekonomikë dhe zhvillimeve globale”, thuhet në deklaratë të lëshuar nga ekipi presidencial i mediave.
“Si një nga vendet kryesore demokratike në Azi, zgjidhjet për këtë duhet të gjenden brenda një kuadri demokratik,” thuhet në deklaratë.
Nga ana tjetër, rezervat valutore kanë rënë me 70% në dy vitet e fundit (në 2.31 miliardë dollarë), kishte raportuar Reuters.
Shri Lanka duhet të shlyejë rreth 4 miliardë dollarë borxh gjatë pjesës së mbetur të këtij viti, duke përfshirë një obligacion sovran ndërkombëtar prej 1 miliard dollarësh që maturohet në korrik.
Dyqanet janë detyruar të mbyllen sepse nuk mund të përdorin frigoriferë, kondicionerë apo ventilatorë, ndërsa ushtarët janë stacionuar në pikat e karburantit për të qetësuar klientët, të cilët rreshtohen për orë të tëra në vapën e madhe për të mbushur rezervuarët e tyre me derivate. Disa njerëz madje kanë vdekur duke pritur.
Demonstruesit kishin protestuar në mënyrë paqësore për javë të tëra, me disa që i bënin thirrje Presidentit të jepte dorëheqjen, përpara se protestat të bëheshin të dhunshme të enjten e kaluar duke përshkallëzuar krizën edhe më tej.
Dorëheqjet e fundit nuk janë shenja e vetme që mund të bëjë edhe më të rëndë situatën në Shri Lankë, inflacioni kombëtar i çmimeve të konsumit është pothuajse trefishuar, nga 6.2% në shtator të vitit të kaluar në 17.5% në shkurt, thuhet në vlerësimin e Bankës Qendrore të vendit.